+355 67 67 677 pgj@plat.org

Statusi, Merkel: Shqipërisë i duhen ligje për reformat, Gjermania ju mbështetGJERMANI- Në deklaratën e parë qeveritare, kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, duke u prononcuar për politikën evropiane, shprehu rezerva lidhur me procesin e hapjes së negociatave të antarësimit mes BE-së dhe Shqipërisë.

Shqipëria, sipas mendimit të kancelares Angela Merkel ende nuk mund të shpresojë për bisedimet e antarësimit në BE. Fillimisht duhet të vendosen ligje të mëtejshme për reformat, tha kryetarja e partisë kristiandemokrate (CDU) në deklaratën qeveritare në Berlin. Samiti i BE-së të enjten dhe të premten (19. – 20.12) do ta shqyrtojë këtë çështje. Gjermania dhe BE-ja do të vazhdojnë ta mbështesin qeverinë në Tiranë në përpjekjet e saj për reformat, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit.

Nga ana tjetër Merkel, ashtu si edhe Komisioni i BE-së më parë, vlerësoi përparimet e dukshme të Serbisë në procesin e afrimit me standardet e BE-së. Eshtë e rëndësishme, që në janar të mund të zhvillohet një konferencë e parë me Serbinë për bisedimet e antarësimit, tha Merkel. Me një hap të tillë do të vlerësohen reformat në ish-republikën jugosllave si dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën. Procesi i antarësimit në vetvete do të kërkojë vite.

Një ditë më parë edhe ministrat për Evropën të 28 vendeve anëtar të BE-së rekomanduan në Bruksel shtyrjen e procesit për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Për këtë do të vendoset në samitin e BE-së në qershor të vitit të ardhshëm. Komisioneri Stefan Fyle tha: “Unë kam shumë besim se ne jemi në rrugën e duhur për takimin në qershor.”

(a.n/ Deutsche Welle)