+355 67 67 677 pgj@plat.org

Një tryezë dyditore për rritjen e bashkëpunimit mes parlamentit dhe organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura filloi sot në Tiranë, organizuar nga Prezenca e OSBE-së dhe Kuvendi i Shqipërisë.

“Shoqëria civile dhe Parlamenti po nisin të zgjasin duart drejt njëri-tjetrit. Por nuk kanë arritur aq larg sa duhet dhe ne jemi të vendosur që të ndihmojmë të dyja palët të ndërtojnë një urë lidhëse”, ka deklaruar Nënkryetari i Prezencës së OSBE-së, Robert Wilton.Sipas tij, afatet për ofrimin e komenteve janë shumë të shkurtra dhe nuk ka rregulla të qarta të konsultimit publik. “Projektligjet jo gjithmonë janë postuar në faqen e internetit të parlamentit dhe shumë prej tyre janë vendosur në rendin e ditës në vijim të një njoftimi të shkurtër, pa konsultimet e mjaftueshme publike apo kohën e duhur për shqyrtim nga deputetët. Trajtimi i këtyre çështjeve do të mundësonte një procesi konsultimi më transparent dhe më gjithëpërfshirës, duke përfshirë më tej shoqërinë civile dhe partnerët socialë, duke rritur së fundmi besimin e publikut në hartimin e legjislacionit”, tha Wilton.

Tryeza e rrumbullakët zhvillohet në kuadër të projekti të Prezencës së OSBE-së për krijimin e urave mes shoqërisë civile dhe parlamentit, financuar nga qeveria gjermane. Që nga shtatori, si pjesë e projektit janë organizuar disa trajnime me këtë temë, në nëntë qytete të Shqipërisë: Bajram Curri, Pukë, Kukës, Shkodër, Peshkopi, Fier, Korçë, Vlorë dhe Tiranë.

Në veprimtari folën edhe nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Dule, Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi dhe zëvendëskryetari i misionit në ambasadën gjermane, Erik Tintrup. Gjatë saj, u prezantua edhe një studim i vitit 2012 për marrëdhëniet mes Kuvendit, institucioneve të pavarura dhe shoqërisë civile.