+355 67 67 677 pgj@plat.org

Pse Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli zgjodhën emisionin e Eni Vasilit për të publikuar nismën e tyre, e para e llojit të vet. Si u ruajt ekskluziviteti i letrës dhe si gazetarja ndërtoi një prej transmetimeve me shikueshmëri më të madhe dhe impakt në shoqërinë shqiptare, duke krijuar një debat që vazhdon për sensibilizimin e shoqërisë ndaj pozitave të gruas shqiptare

Të martën e shkuar në emisionin “Studio e Hapur” u bë publike nisma e 6 personaliteteve të letrave dhe artit shqiptar për faljen e Nazime Vishës, 19- vjeçares të dënuar për vrasje. Ndër firmëtarët ishin emrat më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare. Pse Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli jua besuan juve publikimin e kësaj nisme?

Këtë pyetje ndoshta do të duhej t’ua drejtonit atyre. Ajo që mund të them është se për fat të keq, sot disa segmente të medias kanë krijuar një lloj mosbesimi dhe refuzimi tek elita intelektuale për shkak të komercializimit të skajshëm dhe trajtimit pa etikë të shumë problematikave delikate. Shumë emra të njohur të mendimit shqiptar refuzojnë mediatizimin për shkak të keqpërdorimit dhe deformimit të mesazheve prej kësaj të fundit. E them këtë për të shpjeguar se nuk është aspak e thjeshtë që emra të tillë jo vetëm të bëhen bashkë për një qëllim konkret, por edhe të mediatizojnë nismën e tyre. Kjo tregon ndjeshmërinë e lartë që ka krijuar rasti dhe mënyra se si është trajtuar jo vetëm nga media por edhe nga institucionet.

Ideja ka ardhur më së pari nga shkrimtari Ismail Kadare. Ka qenë ai që ia ka propozuar edhe zotit Dritëro Agolli, i cili jo vetëm e ka mirëpritur, por është ndjerë po aq i shqetësuar për fatin e vajzave si Nazimja. Gjatë një bisede që pata me zotin Kadare dhe botuesin e tij, zotin Hudhri në ditët e Panairit të Librit, ndamë shqetësimin për vështirësitë me të cilat ndeshet vajza shqiptare në një shoqëri të pareformuar e me mentalitet të prapambetur si Shqipëria. Kadare më përmendi shkarazi nismën e cila ish hartuar dhe firmosur disa kohë më parë e që me sa duket, për shkak të atij mosbesimi për të cilin ju fola pak më parë, kish ngelur në sirtar. Iu luta zotit Kadare ta bënte publike nismën duke e konsideruar një shërbim të madh ndaj vajzave dhe grave shqiptare të dhunuara dhe që gjenden në situata të tilla. Kështu Kadare ma besoi mua nismën me konsensusin edhe të firmëtarëve të tjerë. Gjej rastin t’i falenderoj për besimin.

Si është pritur në ambientet mediatike dhe jo vetëm kjo nismë?

Kam marrë komplimente nga të gjithë kolegët, disa prej të cilëve janë shprehur edhe publikisht, por edhe nga shumë të tjerë që merren me problemet gjinore në Shqipëri. Tejet pozitive ishte përfshirja e grave deputete në këtë problematike. Deputetja Mesila Doda si kryetare e grupit të grave deputete reagoi menjëherë gjatë transmetimit live dhe kjo është absolutisht mënyra se si politika duhet të përgjigjet ndaj ngjarjeve të tilla. Me zonjën Doda, zonjën Kryemadhi dhe disa deputete të tjera jemi në kontakt për të parë mundësitë jo vetëm të asistimit të grave në burgje por edhe të rishikimit nga pikëpamja legjislative të disa pasazheve ku mungon një diskriminim pozitiv ndaj gruas e të miturve.

Kjo nismë është e para e llojit të vet në Shqipëri. A është kjo një mënyrë e re sjelljeje e shoqërisë shqiptare, po të kemi parasysh edhe sensibilizimin për armët kimike dhe presionin qytetar që u krijua ndaj çështjes ?

Mendoj se nisma të tilla i ndërmerr vetëm një shoqëri e pjekur demokratikisht dhe që arrin të gjejë forca të konsiderojë institucionin e faljes si një mënyrë për të dhënë drejtësi për mëkatet që po vetë ka gjeneruar. Fakti që nisma ka prodhuar konsensus dhe ka krijuar një jehonë pozitive që po vazhdon, tregon pikërisht për këtë lloj pjekurie demokratike që ka përvetësuar opinioni publik pa u bërë rob i kalkulimeve juridike.

Mesazhi i nismës së gjashtë personaliteteve është shumë më i lartë sesa gjetja e klauzolave juridike për faljen e Nazime Vishës dhe shkon realisht përtej fateve personale të kësaj të fundit.

Historia e Nazime Vishës nuk i përket për fat të keq vetëm asaj. Në prapambetje kulturore e varfëri ekstreme në bashkëjetesë me dhunën dhe paaftësinë për të vijëzuar një limit të qartë mes të mirës e të keqes, të drejtës e të padrejtës, jetojnë shumë gra e vajza, një kontingjent potencial për t’u bërë personazhe tragjike të përditshmërisë sonë.

Nazime Visha sigurisht ka gabuar fatalisht duke i dhënë zgjidhjen që nuk duhej dramës së saj. Por a u morën parasysh vuajtjet e saj dhe plagjiatura mendore që ka pësuar që në moshë të mitur kur të gjithë përveshën mëngët për ta gjykuar si fajtoren e vetme nëpër blogje e faqe gazetash? A u morën parasysh të gjitha rrethanat gjatë gjykimit të saj para drejtësisë së shtetit shqiptar? Nazime Visha nuk është fajtorja e vetme e krimit të 13 gushtit 2012. Të gjithë jemi nga pak me indiferencën tonë ndaj historive të tilla, me prirjen tonë paragjykuese dhe zellin për të treguar me gisht të dobëtin e radhës por edhe me dritëshkurtësinë për të mos parë përtej së dukshmes e pandjeshmërinë për të kuptuar dhimbjen e tjetërkujt dhe dramat që konsumohen çdo ditë para syve tanë.

A do të falet Nazime Visha ?

Do përgjigjem duke cituar një shkrim ekselent të Gjergj Erebarës: “Shoqëria dhe institucionet shqiptare, Presidenti i Republikës, do t’i bëjnë nder vetes me një akt faljeje. Nënat, motrat dhe shoqet do t’i bëjnë një nder vetes duke kuptuar se çfarë turpi kanë bërë deri tani, duke e konsideruar krimin seksual si problem, përgjegjësi dhe faj të viktimës. Do të jetë një shans i mirë që dhunime të tilla në të ardhmen të mos përfundojnë në vrasje, ose me heshtje, por në dënimin e dhunuesit”.

Marre nga MAPO