+355 67 67 677 pgj@plat.org

Nënkomisioni Kuvendor për të Drejtat e Njeriut që është ngritur me vendim Kuvendi në përbërje të Komisionit të Përhershëm parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, zhvilloi sot mbledhjen e konstituimit.
Në përbërje të këtij komisioni janë deputetët Vasilika Hysi, gjithashtu kryetare e këtij nënkomisioni, Arben Ristani, zëvendëskryetar, si dhe. Ermonela Felaj Luan Duzha e . Kastriot Islami në cilësinë e anëtarëve.
Në kuadrin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, menjëherë pas mbledhjes së konstituimit, anëtarët e nënkomisionit dhe një grup deputetesh anëtare të Aleancës së Grave Deputete, zhvilluan një vizitë në Burgun e Grave të Tiranës, ku u njohën me problematikat me të cilat përballen çdo ditë gratë që kryejnë dënimin në këtë institucion.
Gjatë bisedave me gratë e dënuara, deputetët u njohën me kushtet në të cilat ato vuajnëdënimin, si dhe me një sërë problemesh që ato hasin duke filluar nga mënyra e komunikimit nga ana e administratës së burgut, deri në nevojën për rishikimin e legjislacionit lidhur me faljen apo uljen e dënimit për gratë e burgosura.
Gratë e dënuara u shprehën se me ndryshimin e drejtuesve të këtij institucioni të vuajtjes së dënimit, është përmirësuar ndjeshëm komunikimi me administratën e burgut, gjë që ka sjellë për rrjedhojë edhe një përmirësim të ndjeshëm të kushteve në të cilat ato vuajnë dënimin, pasi kërkesat e tyre merren parasysh dhe plotësohen.
Gjithsesi, gratë e dënuara vunë theksin në nevojën e përmirësimit të asistencës juridike që u ofrohet, si dhe në rishkimin e legjislacionit që ka të bëjë me uljen e dënimit dhe faljen. Sipas tyre, asnjë prej grave të dënuara nuk ka mundur të përfitojë ulje të dënimit apo falje gjatë rishqyrtimit të përvitshëm të dënimeve. Në këto kushte, gratë e dënuara kërkuan një angazhim më të madh nga ana e deputetëve, duke pasur parasysh rolin e tyre si nëna, por edhe faktin që shpesh krimet për të cilat ato vuajnë dënimin janë kryer nën presionin e kushteve të rënda psikologjike, ekonomike dhe sociale.
Nga ana e tyre, anëtarët e Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut dhe deputetet e AGD-së theksuan angazhimin e Kuvendit të Shqipërisë për të shtuar vëmendjen ndaj të drejtave të njeriut dhe respektimit të tyre në përgjithësi. Deputetët theksuan se rishikimi dhe forcimi legjislacionit për të drejtat e grave në përgjithësi, dhe veçanërisht për gratë e dënuara me burgim do të jetë në fokus të punës së nënkomisionit dhe të Kuvendit.