+355 67 67 677 pgj@plat.org

“E fshehta përvëluese”e një poezie

Gjithmonë më ka ngacmuar ideja se krijimi poetik vjen në ndërgjegjen e krijuesit befas, pa ndonjë imponim. Kur ndodh kështu, poezia gjithëherë është emocionale, e thellë, shpirtërore. Zakonisht poezia vjen vetë. Poezia e vërtetë nuk njeh korniza, ndryshe ajo sëmuret nga skematimi. Kur çlirohet krijimi, vlerat e tij janë krejt të veçanta. Në këto kushte poezia i këput vargojt dhe del ashtu siç është, e përkryer, pa patur nevojë të
lëmohet. E kësaj natyre është edhe poezia e Vera Istrefit. Ajo pas vëllimit të parë ”Shiu i fundit”, del si profil artistik më vete. Poezinë Vera e shkruan për vete. Ky është parimi i saj. E ngacmuar nga realiteti, kundrejt të cilit ajo është shumë e vëemendshme, mbledh gjithçka i bën përshtypje dhe pastaj gjykon në mënyrën e saj, në stilin e saj, me mjetet e saj artistike. Në poezi ajo pasqyron veten, shqetësimet, emocionin, trishtimin, krenarinë, ngritjen e gëzimet e shpirtit, vetminë, përçmimin, dashurinë, rrjedhjen e kohës etj. Ndjen trokëllimën e takave të veta në trotuar dhe i bën përshtypje, por vëren edhe shikimin e një të panjohuri, sytë e të cilit nuk dinë se ç’kërkojnë. Në darkë shtrëngon në gji djalin dhe ndjehet e lumtur, siç e ndjen veten të trishtuar pse kaloi një çerek shekulli i jetës se saj kaq shpejt dhe ka droje se mos po e flakin ”ndane rrugës si mollë e kafshuar”. Poezia e Verës është mister, për nga ideja, solide për nga ndërtimi dhe koncize strukturalisht. Kjo është teknika poetike e saj. Krijimeve nuk u ve titull. Kështu e ka zgjedhur ajo. Por kjo praktikë i ka dhënë mundësinë për të ndërtuar vëllimin si një lëndë e vetme. Poezitë pasojnë njëra tjetrën dhe idetë duket sikur lihen përgjysëm në njerin krijim, e vazhdojnë në tjetrin, e kështu deri në fund. Unë gjykoj se ideja e saj i ka rritur vlerat artistike. Vëllimi ”Nënqeshje e embël”është pa dyshim arritje e Vera Istrefit. Ajo në ndryshim nga vëllimi i parë poezinë e ka më të plotë, si nga idetë, ashtu edhe nga mjetet artistike që përdor. Kjo dëshmon për pjekurinë e saj dhe përpjekjet për të qenë individualitet artistik. Shpesh poetja shprehet “nëse dikujt i pëlqen poezia ime le ta lexojë”. Thënie modeste, por realisht kjo poezi jo vetëm lexohet, por edhe lë mbresa, veçmas në botën femrore.

Nga reçensioni

Krijuesja Kuksiane Vera Istrefi, pas trokitjes se suksesshme
në dyert e kështjellës poetike shqipe me vëllimin poetik ”Shiu i
fundit” me këtë liber (të dytë me rradhë brenda një periudhe të
shkurtër kohore) po hyn në botën e poezisë shqiptare me një
individualitet pothuajse tërësisht të formuar. Subjekti lirik,
botën shqiptare e vështron dhe e përjeton nga pikëvështrimi i
femrës, e cila ndodhet në një positë gjithsesi më të rëndë brenda
shoqërisë shqiptare të ndertuar mbi baza të forta patriarkale
(veçmas në zonën e veriut) Poezia e kësaj poeteshe, në qenësinë
e saj, është një dialog poetik me koordinatat e ekzistences. Ky
dialog bëhet me një ndjeshmëri të thellë dhe mjaft të sinqertë.
Spektri tematik zgjerohet apo ngushtohet në varshmëri nga
zgjerimi apo ngushtimi i hapësirës individuale e kolektive.
Duke qenë pjesmarrëse aktive në jetën shqiptare, në
dhembjet dhe tragjeditë e saj po edhe në gezimet dhe
adhurimet për gjerat e saj të shenjta, kjo poeteshë nuk është
vrojtuese pasive, por përkundrazi ajo pozicionohet ndaj
”objektit” të këngëtimit herë-herë deri në mallkim, e herë-herë
deri në adhurim.Në të dya rastet motivimi është i plotë.
Poetesha, nëpërmjet një ligjërimi të figurshëm artistik, i qaset
botës komplekse me tërë imagjinatën krijuese e përceptuese, me
përjetimin e vacantë të botës fisnike e të pasur intime, me
rrugën, rrjedhat dhe me peripecitë e shqetesimet që sjell kjo
temë në jetë.
Poezitë e këtij vellimi janë realizuar me tingëellimin, ritmin
dhe fuqinë e ndjenjës së dashurisë, që ndihet e artikuluar me
tërë bukurinë dhe me shqetësimet e saj; /Jam doruntinë zemër
plasur /e vetme pranë portës /Në anën e së cilës janë engjëjt e
djajtë /Pres një Konstadin /Me vete të më marrë/…(faqe32).
Në vargjet e këtij libri, autorja paraqet një gjendje reale
emocionale, një shqetësim të përjetuar që rrjedh mbase edhe si
mesazh poetik, por që lidhet fort me jetën, me emocionin më të
fuqishëm e më të sinqertë që mund të përjetohet. Poetesha
depërton thellë në psikologjinë e femrës, kurse specifikat e
përjetimit i jep natyrshëm me gjithë ngjyrimet komplekse që ka
bota femërore, por edhe vetë dashuria.