+355 67 67 677 pgj@plat.org

Guximi që të jesh ndryshe

Nga: Albatros Rexhaj

Po jetojmë në një kohë kur duhet të shtiresh se je budalla, në mënyrë që të përparosh në jetë! Nëse mendon se të mjafton dija dhe puna e sinqertë, atëherë do të dëshpërohesh. Puthadorët do të bëhen të gjithë bashkë kundër teje, sepse duan të rrënojnë gjithçka që ata vetë nuk mund ta arrijnë. Dështimi yt është suksesi i tyre!

Ti nuk duhet të guxosh të dështosh!
Qëndro fort!
Qëndro, sepse brenda njeriut që lufton të jetë vetja, digjet një flakë që rrezaton jetë. Pikërisht kjo i tremb ata që nuk mund ta ndezin kurrë këtë flakë në shpirtin e tyre!
Kjo është ajo që të bën ty të jashtëzakonshëm!
Mos ki asnjë dyshim. Historia mban mend vetëm njerëzit e jashtëzakonshëm! Vetëm ata që kanë pasur guxim të ndahen nga turma.
Nëse kjo flakë digjet edhe brenda teje, mos lejo të ta fikin!
Mos u dëshpëro as me njerëzit e tu që nuk të mbështesin atëherë kur këtë e pret më shumë se kurrë!
Mos u mposht!
Shtegu i suksesit nuk është i mbushur me lule. Përkundrazi, i tëri është me gjemba.
Nëse dëshiron të jesh i mirë me botën, mos gjako të bësh diçka. Rri ashtu si je. Vetëm. Një i mjerë më shumë. Një zë i shterur, që shtiret se bërtet, kur thotë se vetja i mjafton.

Nëse dëshiron të jesh i mirë me veten tënde. Të jesh dikush më shumë. Atëherë, mbylli sytë dhe duro gjembat që do të përplasen fytyrës. Duro shpifjet, thikat pas shpine, tradhtitë nga ata që deri dje i quaje miq, mosbesimin nga ata që ua beson të gjitha. Duroje edhe luftën me disa që nuk i ke njohur kurrë, por që tani, pa ndonjë arsye, të quajnë armik.

Frikacakët mund të marrin guximin të të përqeshin, të të përflasin, të shpifin. Madje edhe do të përpiqen të të izolojnë, vetëm ngase ti nuk i trembesh zemrës tënde. Mos i dëgjo kur të thonë se duhet ta ndrydhësh ndjenjën dhe ta përplasësh atë në korridoret e errëta të shpirtit. Ata mendojnë se kështu bëhen më të fortë, madje edhe paraqiten si të tillë, por në vërtetë kanë frikë nga përballja me veten! Ke vendosur të luftosh për vlerat e tua? Dëshiron të jesh ndryshe? Atëherë dëshmoje se ti je NDRYSHE. Bëhu gati të të sulmojnë dhe të të përqeshin. Të të kryqëzojnë si Krishtin. Edhe pse e dinë se ti përfaqëson të vërtetën, ata përsëri do të të kryqëzojnë, sepse e vërteta jote ka fuqi ta shembë botën e tyre të rrejshme.
Rruga drejt njohjes është e shtruar me gjemba dhe me dhimbje. Nëse tregohesh i dobët dhe heq dorë, atëherë je si gjithë të tjerët, sepse bota është përplot me njerëz që çdo ditë heqin dorë dhe dorëzohen.