+355 67 67 677 pgj@plat.org

Sot, Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje – një nga rrjetet më të mëdha të grave në Shqiperi – shpreh shqetësimin që listat shumë – emërore të kandidatëve për anëtaret e ardhshëm të Parlamentit në zgjedhjet Parlamentare të 2013 dështuan në njohjen e rolit të pazëvëndësueshëm të grave në shoqëri dhe nuk respektuan kuotat gjinore të parashikuara në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë. Listat përgënjeshtrojnë retorikën e partive politike dhe angazhimin e tyre për të mbështetur dhe promovuar të drejtat e grave.

 

Shumë nga listat e bëra publike nuk respektuan 30 % të kuotave për gratë kandidate dhe nuk i vendosën gratë ne krye te tre emrave ne fillim të secilës listë, sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor. Në fakt, disa nga listat shumë-emërore të partive në qarqe të ndryshme të vendit, nuk përmbanin fare gra kandidate. Edhe shumë nga listat që e respektuan 30% të përfaqësimit të grave në lista i kishin vendosur ato në pozicione të pafavorshme për t’u zgjedhur efektivisht. Specifikisht, sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Partia Socialiste nuk e ka zbatuar kuotën gjinore 30% dhe/ose vendosjen e një gruaje kandidate në tre emrat e parë në listë në listat e 6 qarqeve nga 12, Partia Demokratike nuk e ka zbatuar në listat e 4 qarqeve nga 12, gjithashtu edhe Levizja Socialiste për Integrim në listat e 4 qarqeve nga 12. Pjesa më e madhe e partive të tjera më të vogla e kanë zbatuar kuotën gjinore, por edhe disa prej tyre kanë dështuar në këtë pjesë. Listat partiake që u dorëzuan tregojnë një mungesë të plotë respekti dhe nënvlerësojnë cdo progress që është bërë ose mund të bëhej gjatë këtyre zgjedhjeve.

 

Shoqëria civile dhe aktorët e përfshirë kanë kërkuar vazhdimisht që të respektohen kuotat gjinore si një mekanizëm për të rritur pjesëmarrjen politike të grave në zgjedhjet Parlamentare të vitit 2013. Në këtë kontekst, Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje përgëzon Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve i cili zbatoi sanksionet ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor, duke aplikuar gjobën prej 1.000.000 Lekësh për shkeljen e kuotës gjinore për cdo qark. Ne do të monitorojme përmbushjen nga partitë politike të këtij sanksioni të vendosur.

 

Së bashku me organizata të tjera, Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje do vazhdojë të kërkojë që një në tre kandidatë në listat e partive të jetë grua dhe që sanksioni për moszbatimin e këtij kriteri të jetë refuzimi i listave nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

 

Ne i përgëzojmë dhe i mbështesim fuqimisht gratë që janë në pozicione konkuruese në listat e kandidatëve, dhe mendojmë se është e padrejtë që kaq pak gra të jenë të detyruara të mbajnë barrën e përfaqësimit të gjysmës së popullsisë në Shqipëri, qoftë gjatë këtyre zgjedhjeve, qoftë në Parlamentin shqiptar.