+355 67 67 677 pgj@plat.org

Përfaqësuesit e Koalicionit për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, përfaqësues të shoqërisë civile në Shqipëri, të koalicioneve partnere, të grupeve politike të të rinjve dhe grave nga e gjithë Shqipëria, që punojnë për arritjen e barazisë gjinore, avancimin, përfaqësimin politik dhe fuqizimin e grave dhe vajzave në Shqipëri, kanë dalë në këtë manifestim, për të protestuar ndaj vendimit të KQZ-së për penalizimin e subjekteve zgjedhore vetëm me gjobë dhe duke mos kërkuar nga forcat kryesore politike zbatim rigoroz të kuotës gjinore.
Përcaktimi i Kodit të Ri Zgjedhor, sipas ndryshimeve të fundit, për t’i imponuar çdo force politike që në listat e tyre të kandidatëve të ketë 30 nga gjinia më pak e përfaqësuar dhe në çdo tre emrat e parë një kandidate grua, nuk është më detyrues në zbatim. KQZ-ja, gjatë miratimit të udhëzimit për dokumentacionin që duhet të shoqërojë listat shumë emërore të partive, ka vendosur që për të gjitha ato subjekte zgjedhore që nuk plotësojnë kriterin e barazisë gjinore të gjobiten me vlerë monetare për këtë shkelje, por pa pasur të drejtë të refuzojë listën e kandidatëve. Aspekti më shqetësues i vendimit të KQZ-së është fakti se ky institucion ka pranuar pa asnjë lloj reagimi apo vendosmërie që të drejtat e grave për pjesëmarrje dhe përfaqësim në jetën politike të Shqipërisë të shkelen me të dy këmbët.
Protestuesit kërkojnë nga komisioni qendror i zgjedhjeve dhe nga partitë politike në Shqipëri:
1. KQZ të marrë të gjitha masat për të bërë qëndrimin e saj publik dhe të kërkojë llogari nga të gjitha partitë politike që do paraqesin kandidatë në zgjedhje, në rast se ato nuk zbatojnë kuotën gjinore në listat e kandidatëve, siç kërkohet në Kodin Elektoral;
2. Partitë politike që do të garojnë në zgjedhjet e 23 Qershorit të zbatojnë rigorozisht kuotën gjinore në listat e kandidatëve për të përmbushur angazhimet e tyre publike në mbështetje të grave dhe vajzave në politikë