+355 67 67 677 pgj@plat.org

NED workshopNë datën 20 Shkurt 2013 në Tiranë, në kuadër të projektit “Zhvillimi i Demokracisë nëpërmjet Barazisë Gjinore” të mbështetur nga National Endowment for Democracy, është mbajtur workshopi me po të njëjtën temë  i organizuar nga Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje”. Në këtë aktivitet të pranishëm ishin rreth 75 pjesëmarrës të institucioneve publike, private, forumeve politike, forumeve rinore, universiteteve, shoqërisë civile, komuniteti i biznesit dhe medias. Kjo pjesëmarrje e gjerë synoi të rrisë vlefshmërinë dhe të sigurojë që problematika e planifikuar, por dhe planin e masave që do të rekomandohej për të qënë në përputhje me nevojat dhe mundësitë reale të gjithë aktorëve të qytetit të Tiranës.

 

Workshopi u përgatit për të nxitur bashkëpunimin ndërmjet aktorëve të ndryshëm qeveritarë (qendrorë e lokalë), forumeve të grave në politikë, shoqërisë civile, medias dhe komunitetit, për të marrë vendime të orientuara dhe të drejtuara nga përparësitë e çështjes së barazisë gjinore në vendimmarrje.

 

Fushat kryesore të diskutimeve në Workshop u perceptuan të përmblidhen në 5 shtylla kryesore:

1. Mekanizmat ligjorë dhe institucionalë që sigurojnë barazinë gjinore në Shqipëri;

2.Perspektiva gjinor në vendimmarrje;

3. Fuqizimi ekonomik si një ndër kushtet themelore për arritjen e barazisë gjinore;

4. Mbrojtja sociale;

5. Media;

 

Gjatë proçesit të diskutimeve në workshop, 3 seksionet e punës u mbështetën në:

  • Analizën e situatës social, ekonomike, politike në Shqipëri, duke marrë në konsideratë treguesit ekonomikë, arsimorë, dhe politikë të gruas në vendimmarrje;
  • Analiza të veçanta për pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në sektorë të ndryshëm, si dhe në strukturat vendimmarrëse në nivel qendror e lokal;
  • Prezantimin e Raportit të Përfaqësimit të Gruas në Politikë në Shqipëri, duke analizuar kontekstin e studimit, metodologjinë, objektivat, kuadrin ligjor te barazise gjinore në Shqipëri dhe jo vetëm, monitorimin sasior dhe cilësor të media si dhe rekomandimet e sugjeruara në raportin përfundimtar.
  • Vendosjen e treguesve bazë për matjen dhe vlerësimin e ecurisë, apo dhe rishikimin e veprimeve në përputhje me situatat e reja që krijohen.
  • Evidentimin e fushave kryesore të ndërhyrjes për rritjen e gruas në vendimmarrje.

1. Anëtarja e nënkomisionit “Për barazinë gjinore dhe mbrojtjen e fëmijëve”, anëtare e Komisionit të Përhershëm Parlamentar “Për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë” znj. Eglantina Gjermeni shprehu mendimin e vet se kuota gjinore nuk duhet të perceptohet vetëm në nivelin e politikës, por duhet të përfshijë të gjitha nivelet dhe në këtë mënyrë ajo do të ketë impakt gjithpërfshirës.

 

2. Deputetja e Partisë Demokratike dhe Kryetarja e Forumit të Lidhjes Demokratike znj. Vokshi shprehu gadishmërinë dhe nevojën e përgatitjes së një platforme të përbashkët të grave mes të gjithë partive dhe shoqërisë civile për tu kujtuar gjithë liderve të të gjitha partive politike në Shqipëri, të gjithë anëtarëve të Parlamentit dhe të gjithë vendim-marrësve të respektojnë kuotën 30 për qind të pjesëmarrjes së grave në Parlament. Duke qenë se partitë politike parlamentare kanë përgjegjësinë më të madhe për progresin e demokracisë dhe integrimin e Shqipërisë në BE, znj. Vokshi sugjeroi që këto parti politike të jenë të parat që të mbështesin këtë iniciativë.

 

3. Avokati i Popullit z. Igli Totozani theksoi rolin e fuqishëm që duhet të ketë shoqëria civile për të promovuar barazinë gjinore, pasi shoqëria civile përherë e më shumë po shdërrohet në një aktor të rëndësishëm në sistemet demokratike të qeverisjes në mbarë botën. E përkufizuar si “arena jashtë familjes, shtetit dhe tregut, e krijuar nga aksione individuale dhe kolektive, organizata dhe institucione për të avancuar interesa të përbashkëta”, shoqëria civile është e destinuar të bashkëpunojë me të gjithë segmentet e një shoqërie të organizuar, duke marrë dhe përcjellë inpute tek procese dhe aktorë të ndryshëm dhe në këtë mënyrë institucioni i Avokatit të Popullit mund të bëhet zëri ndihmues i qytetarit për të ndihmuar në proçesin e barazise gjinore në Shqipëri.

 

4. Komisionerja për Mbrojtjen ndaj Diskriminimit znj. Irma Baraku theksoi se sipas Raportit Vjetor të Komisionerit 2011 për mbrojtjen nga Diskriminimi rezultoi se kuota gjinore nuk është respektuar në të gjithë vendin në zgjedhjet lokale në Maj 2011. Gjithashtu theksoi se nevojitet rritja e masave të posaçme në vend për të siguruar përfaqësimin e grave në nivele të larta drejtue se në institucionet arsimore. Gjithashtu vuri theksin tek hendeku i gjerë i pagave midis gjinive, skemave në mbështetje të grave që kanë për të shlyer detyrime pune dhe familjare. Një problematike tjetër u paraqit dhe situata e grave me aftësi të kufizuara të cilat janë edhe më shumë të privuar në fushën e punësimit. Nuk ka kuota për punësim e tyre dhe mungon infrastruktura.Niveli i përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës mbetet shumë i ulët dhe kuotat e prezantuara nga ligji për nxitjen e punësimit, përgjithësisht nuk zbatohen. Znj. Baraku theksoi rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve lidhur me ankimime për shkak të diskriminimit, në këtë aspekt përbën risi se 48% e ankimimve janë bërë nga gratë dhe 52% nga burrat. Shkaqet e ankimimeve lidhen me çështje si: orinetimi seksual 27%; gjinia 18%; etnia 9%; aftësia e kufizuar 9%; mosha 9%; shqetësimi në punë 9% dhe ato që nuk identifikohen përbëjnë 18% të ankesave.

 

5. Më pas deputetja dhe Kryetarja e Forumit të Partisë Socialiste znj. Olta Xhaçka mes të tjerash u shpreh se barazia gjinore dhe përpjekjet për të arritur këtë të fundit duhet të kapërcejnë kufijtë. Në këtë aspekt znj. Xhaçka ndau me të pranishmit iniciativën që Forumi i Grave të Partisë Socialiste krijuan vitin e kaluar për hartimin e një platforme kombëtare për barazi gjinore në kuadër të 100-vjetorit të Shqipërisë të zhvilluar në Kosovë. Ashtu si dy deputetet e tjera znj. Xhaçka shprehu dëshirën dhe nevojën e krijimit të një platforme te përbashkët. Gjithashtu u tregua dhe rastii grupit joformal te Deputeteve në Kuvendin e Kosovës, i cili përbëhet nga të gjitha gratë deputete në Kuvendin e Kosovës.

 

6. Ndërsa nënkryetari i Bashkisë Tiranë z. Petrit Vasili theksoi rëndësinë e garimit të barabartë mes meshkujve dhe femrave në çdo fushë dhe aq më shumë në atë vendimmarrjes në politikë. Z. Vasili u shpreh se dimensioni i përfaqësimit të gruas në politikën shqiptare ka marrë një përgjigje pozitive dhe politika nuk ka qenë paragjykuese, ka dalë mbi veten, maskilizmi politik është vetëpërmbajtur dhe ka pranuar vlerat dhe mirëkuptimin.

 

7. Znj. Brunilda Paskali nënkryetare e LGI-se u shpreh se LGI punon fort për ngritjen e gjithë strukturave të saj, punon për të mbajtur fort anëtarësinë e saj të qëndrueshme, por edhe për t’iu hapur derën gjithë grave dhe vajzave që kanë dëshirë të jenë pjesë e tyre. Në këtë aspekt LGI punon për të sensibilizuar të gjitha gratë dhe për t’iu treguar atyre se fuqia e një gruaje në politikë është me shumë vlerë për të marrë vendime mbi të ardhmen e tyre, mbi të ardhmen e familjeve dhe fëmijëve të tyre.

 

 

Në workshop u prezantua dhe raporti “Situata e Përfaqësimit Politik të Gruas në Shqipëri” i kryer ne kuadër të projektit “Zhvillimi i Demokracise nepermjet barazise gjinore” mbeshtetur nga National Endowment for Democracy, i cili bën pasqyrimin e kontekstit shqiptar përmes rishikimit të studimeve dhe dokumenteve që adresojnë çështjen e barazisë gjinore dhe pjesëmarrjes së grave ne politikë dhe vendimmarrje, evidentimin e kuadrit ligjor dhe institucional mbi barazinë gjinore në Shqipëri, evidentimin dhe monitorimin e rolit e mediave autovizive, duke pasur si objektiv kryesor përqasjen e medias në çështjet gjinore dhe rëndësinë e saj në promovimin e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje si dhe del me rekomandime specifike për politikëbërjen në të ardhmen.

 

  • Një nga risitë e studimit është dhe monitorimi i medias autovizive: në total janë monitoruar 789 emisione televizive të ndara në dy kohë & Edicionet kryesore te Lajmeve:
  • Emisioni Pasdite në Top Channel ( ne raport 1:4) vihet re se ka qasjen me të dendur në krahasim me emisionet e tjera. Fakti pozitiv qëndron se ne të gjitha emisionet është referuar apo ka qëndruar në tematikat e tyre të përzgjedhura ka qënë në fokusim dhe gender. Por nëse marrim në analizë rëndësinë dhe formatimin se si është fokusuar roli gender si pikë referimi dhe shembull pozitiv qëndron sërisht emisioni Pasdite në Top Channel e prezantuar nga znj.Ulpiana Lama.
  • Emisioni Opinion në Klan (ne raport 1:9) në programe televizive të cilat fokusohen në analiza politike, sociale në kuadrin e analizimeve, intervistimeve apo dhe reportazheve të caktuara ka përqasjen më të lartë në raport me emisionet e tjera. Ajo që dallon këto tip-formatesh emisionesh është fokusimi i tyre në çështje të rëndësishme dhe aktualiteteve të ngjarjeve të ditës, përveç kësaj ajo që i bashkon këto të fundit është ‘unifikimi’ i tyre thuaj konstant i tyre kundrejt përqasjes së temave gender. Thuajse tek të gjitha emisionet trajtimi dhe përfshirja e temave gender është i papërfillshëm dhe gati i patrajtueshëm.

 

Pas përfundimit të panelit të tretë të diskutimeve me përfaqësues nga institucionet publike, organizata ndërkombëtare, forumet politike, forumet rinore, forumet e minoritetit, shoqëria civile, universitetet publike dhe institucioneve mediatike, duke marrë parasysh dhe diskutimet në seksionet e mëparshme workshopi rezulton me rekomandimet e mëposhtme:

 

                          REKOMANDIMET E WORKSHOPIT TIRANË

Sugjerime:

S. 1 Mungesa e resurseve financiare me të cilat përballen gratë e cila ndihet kryesisht gjatë financimit të fushatave elektorale, si dhe aftësisë së politikaneve gra që të ndërmarrin nisma të caktuara të çon drejt domosdoshmërisë që partitë politike në Shqipëri duhet të bëjnë buxhetime gjinore dhe të themelojnë fonde të ndryshme të destinuara veçanërisht për gratë.

 

S. 2  Një tipar i rëndësishëm social qëndron në përgjegjësi të dyfishta, nëse jo të trefishta të grave: në shumë shtete, gratë perceptohen se kanë përgjegjësinë ‘primare’ si bashkëshorte dhe motra. Por në shumë raste, ose si rezultat i preferencës për zhvillim personal, ose nga domosdoshmëria ekonomike, gratë gjithashtu shkojnë të punojnë në tregun e punë, kjo e bën që karriera politike në këto raste vjen ose si punë e dytë ose e tretë. Manovrimi i këtyre profesioneve të ndryshme dhe përgjegjësitë e tyre pasuese nuk është detyrë e lehtë për askënd, as për burrat ose gratë.

 

S. 3 Në bazë të referencave të forumeve u sugjeruan se duhet punuar që brenda partive të përfshijnë në programet politika gjinore si dhe nevoja për riformatime strukturore në mënyrë që të ndryshojnë raportet brenda partive politike në planin gjinor. Sot partitë politike relevante kanë më shumë burra se gra në strukturat e tyre udhëheqëse e kjo situatë duhet ndryshuar.

 

S. 4  Duke marrë parasysh tentativat e veçanta të mëparshme të iniciuara veçmas nga partitë më të mëdha në vend u sugjerua nevoja e një përgatitje të një aksioni të përbashkët të grave mes të gjithë partive dhe shoqërisë civile për tu kujtuar gjithë liderve të të gjitha partive politike në Shqipëri, të gjithë anëtarëve të Parlamentit dhe të gjithë vendim-marrësve të respektojnë kuotën 30 për qind të pjesëmarrjes së grave në Parlament.

 

S.5 Media arrin të pasqyrojë që gruaja ka potencial dhe ekspertizë të mjaftueshme që mundëson përfshirjen e saj në proçeset vendimmarrëse e politikëbërëse, por pavarësisht zhvillimeve pozitive, ende në media mbeten dominuese stereotipat gjinorë dhe paragjykimet mbi gruan.

 

Rekomandim No.1:

Duhet të ekzistojnë mekanizma mbështetës ne disa nivele, duke marrë parasysh sugjerimet e mësipërme (S1&S2), në mënyrë të lehtësojnë futjen e gruas në nivele vendimmarrëse.

Rekomandim No.2:

Partitë duhet të përfshijnë në programet e tyre politika gjinore dhe të përfshijnë angazhimet e tyre direkte për të ndryshuar raportet gjinore brenda strukturave partiake, duke marrë parasysh sugjerimin (S.3) në mënyrë mirëfunksionimin e këtyre raporteve në fushat përkatëse pro balancimit gjinore.

Rekomandim No.3:

Implementim sa me i mire i kuotës gjinore ne zgjedhjet e Qershorit 2013, duke marrë parasysh S.4 rekomandohen bashkimi i të gjithë aktorëve për të iniciuar hartimin e një Memorandum Mirëkuptimi të firmosur nga të gjitha partitë, e cila do të funksionojë si një mekanizëm ‘detyrimi’ për të gjitha partitë në mënyrë respektimin e Kodit Zgjdhor dhe Kuotave.

Rekomandim No.4:

Media në bazë të (S.5) duhet të kontribojë në periudhën paraelektorale të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2013 në bashkëpunim me organizatat jo-qeveritare, duke prezantuar një tablo realiste të aftësive dhe potencialeve të grave kandidate në shoqërinë shqiptare dhe të shmangë portretizimin e tyre.