+355 67 67 677 pgj@plat.org

Vlerat dhe kontributi i një gruaje për komunitetin

 

E palodhur dhe kurajoze. Plot energji, potencial, shpirt humanitar. Një zë i fuqishëm në shoqërinë civile, një mbështetje pa kushte për shtresat në nevojë. Gjithçka për njerëzit, me të cilët jeton në një qytet, për njerëz që i ndesh çdo ditë në rrugë dhe i ndien problemet dhe vështirësitë e tyre. Por, mbi të gjitha, ajo nuk hesht – nuk bën indiferenten, por është zgjidhja e këtyre problemeve. Për të tilla gra ka nevojë sot, më shumë se kurrë, shoqëria shqiptare

 

Një grua e aftë, plot energji dhe potencial, e cila ka sjellë ndryshim radikal dhe pozitiv në qytetin e Pogradecit, jo vetëm në nivel komuniteti, por dhe në nivel personal, me këdo që takon. Një grua e suksesshme në fushën e biznesit, në shoqërinë civile dhe me një kontribut të madh në mbështetje të shtresave në nevojë. Kjo është Mimoza Shuli, së cilës, para pak kohësh, iu akordua në një ceremoni gala, “Çmimi i Filantropisë 2012”, me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në promovimin e biznesit artizanal lokal të zhvilluar nga gra në nevojë në qytetin e Pogradecit, punësimin dhe përmirësimin e situatës ekonomike të familjeve të tyre, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme financiare të grupeve të tjera në nevojë”. Në prani të një audience të gjerë të ftuarish, me përfaqësues nga sektori i biznesit, ai jofitimprurës, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe institucione donatore dhe media, në ceremoni madhështore u shpallën fituesit e Çmimit të Filantropisë 2012. Më shumë se kushdo, zonjën Shuli e vlerëson komuniteti në të cilin jeton. Dhe për këtë çmim, propozimi ishte nga bashkia e Pogradecit dhe nga organizatat joqeveritare që e veprojnë në këtë qytet. Prej dy vitesh, në atributin e anëtares së Këshillit Bashkiak, Mimoza është shquar si një këshilltare e zonja për mirorientimin e mirëpërdorimin e buxhetit vjetor të bashkisë. Është nga të vetmet gra prezente që di të ngrejë zërin e të mbrojë me devotshmëri argumentet e saj në interes të grupeve, të cilat mendon se janë më emergjentë për t’u trajtuar me ndihmë. Mimoza është gruaja që di të jetë solidare me gra të tjera në qytet, që di të përkrahë e të mbështesë ato gra që kanë aftësitë të ecin në rrugën me plot të papritura të bizneseve të vogla familjare. Por jo vetëm grave ajo një kontribut dhe një mbështetje të madhe ju ofron dhe moshave të treta për të cilët një kafe në mëngjes ne lokalin e saj për këto mosha e ka falas. Mimoza i bëhet nënë jetimëve dhe vajzë të moshuarve, është vajza e qytetit që e duan të gjithë. Është një grua, e cila me shumë sukses ka përfaqësuar traditat pogradecare në shumë forume e konferenca kombëtare e ndërkombëtare si në Koblenc të Gjermanisë, Kroaci, Mal i Zi, Bullgari, etj. Ka marrë pjesë në 8 konferenca të sipërmarrjeve femërore të vendeve të Jonit dhe Adriatikut.

 

Ka kontribuar me të ardhura ekonomike në familjet e varfra për të festuar Vitin e Ri 2010-2012, për t’u ndjerë dhe ato të barabartë me të tjerët. Çdo Krishtlindje ka ndarë dhurata për fëmijët jetimë, në 30 fëmijë të moshave nga 3 vjeç deri 10 vjeç për 4 vite me radhë

Mimoza Shuli: Gruaja është e aftë të drejtojë me butësinë dhe mirësinë që e karakterizon

 

Mimoza Shuli është aktiviste për fuqizimin e rolit të Gruas në shoqëri jo vetëm brenda rrjetit të grave. Ajo është një grua, e cila nëpërmjet punës së saj të madhe dhe kontributit në qytetin e Pogradecit, është bërë e njohur duke e shpërndarë këtë eksperiencë të suksesshme në shumë qytete si dhe në disa vende të rajonit. Me një kurajë për t’u admiruar nisi një biznes familjar 1994, për ta kthyer brenda pak viteve në një biznes të madh “Perla Hotel”, vite këto gjatë të cilave është vlerësuar në qytet për ndihmesën e dhënë kujtdo që ndodhej në nevojë për mbijetesë. Anëtare e “Grave Biznesmene të Shqipërisë”, nënkryetare e qarkut te Korçës për “shoqatën Shqiptare të Turizmit” si dhe Kryetare e “Shoqatës së grave artizane” në Pogradec, të cilën e ka krijuar në mbështetje të grave të papuna për t’i aktivizuar në biznesin familjar nëpërmjet artizanatit.

 

– Cila është ngjarja juaj më e rëndësishme dhe si ka ndikuar ajo në jetën tuaj?

Në fakt, kam pasur disa ngjarje të rëndësishme, po përmend të fundit urimin që mora nga Ambasadori Amerikan, z. Arvizu dhe shumë diplomatë, e biznesmenë të mëdhenj pjesëmarrës, në ceremoninë e marrjes së çmimit të filantropisë. Tjetër moment i rëndësishëm dhe emocionues ishin përqafimet që mora nga fëmijët e jetimes në momentin që ju kam ndarë dhuratat për me rastin e festave të Krishtlindje në një aktivitet në ambientet e Hotel Perlës

 

– Cili është çasti më i lumtur në jetën tuaj?

Në jetën e një gruaje çasti i lumtur fillon nga momenti që bëhesh nënë me rritjen e fëmijëve, edukimin, shkollimin e tyre, puna dhe arritjet. Nuk mund të diferencoj ndonjë çast të veçantë pasi për mua gjithçka e bukur në jetë është çast lumturie. Për mua paraja nuk do të thotë lumturi në momentin që ti e ndan me të tjerët me njerëz që kanë nevojë atëherë kjo të fal çaste lumturie.

 

– Cili është çasti më i trishtueshëm në jetën tuaj?

Çast i trishtueshëm për mua është çdo muaj kur ndaj pakot me ushqime tek familjet në nevojë, tek familjet me aftësi të kufizuar, është për të ardhur keq kur i shikon në një gjendje të mjerueshme, të mendosh që jetojmë në shekullin e 21-të dhe akoma ka familje që jetojnë si në mesjetë. Ky fakt më trishton pa masë.

 

– Kur keni pak kohë të lirë, si e shfrytëzoni atë? Cilat janë disa nga hobet tuaja?

Më pëlqen të lexoj, por edhe të shkruaj. Aktualisht, jam duke shkruar një libër që më tepër është autobiografi, nuk dua të flas më tepër për këtë, pasi dua t’ia lë momentit dhe kohës, pak kohë kam të dal për ndonjë kafe, për të mos thënë që s’kam kohë fare, për shkak të angazhimeve të shumta. Jam mëse 12 orë duke punuar, e nis ditën me një kafe në ora 8 në mëngjes me pas ne zyre duke ju shërbyer qytetareve qe kane nevoje për kredi, biznesi apo konsumatore, dhe me pas mbas orës 4 pasdite, deri në ora 24 pranë biznesit tim ne hotel

 

– Çfarë ju pëlqen më shumë tek qyteti juaj i Pogradecit?

Më pëlqen qyteti im nuk do ta ndërroja me asnjë qytet tjetër, jam lindur dhe rritur aty dhe nuk e mendoj jetën time pa Pogradecin e Lasgushit dhe Mitrushit. Më pëlqen natyra, liqeni, klima për më tepër njerëzit që janë aq mikpritës dhe bujarë. Qyteti i Pogradecit është një qytet që mbart në vetvete shumë vlera dhe tradita, por që duhet të ruhen dhe të promovohen nga të gjithë, pasi shumë pak njihen, sidomos nga të huajt.

 

– Si keni mundur të balanconi përkushtimin ndaj familjes dhe suksesit në punë dhe shoqëri?

Jam përpjekur t’i mbaj në koherencë të dyja pa lënë pas dore asnjërën, pasi familja është prioritare pastaj vjen puna dhe shoqëria. Përveç biznesit unë prej tre vjetësh punoj si specialiste pranë Shoqërisë së kursim kreditit ”Jehona” dega Pogradec, një punë që më jep një farë sadisfaksioni në një mënyrë tjetër nga biznesi im, përpiqem t’i ndaj pak gjërat duke deleguar punët dhe detyrat e biznesit dhe me pjesën tjetër të familjes. Bashkëshorti im është një menaxher shumë i mirë i biznesit, i cili ka qenë shtysa kryesore në shume prej iniciativave të mia.

 

– Sipas jush, pse një grua duhet të marrë pjesë në politikë?

Është shumë e rëndësishme pjesëmarrja e gruas në politikë. Mendoj që nëse do të ishin më shumë gra se sa burra në politikë, do ishte shumë më ndryshe vendi se sa është sot që burrat me zor ju lënë vendin grave. Do më pëlqente që si burrat dhe gratë të votoheshin me emra dhe jo me lista, pasi ka persona të padëshiruar në politikën shqiptare që për hir të bindjeve politike je i detyruar t’i votosh jashtë vullnetit dhe dëshirës tënde. Gruaja është e aftë të drejtojë, të menaxhojë, me butësinë dhe mirësinë që e karakterizon një grua.

 

– Çfarë do të thotë “sukses” për Mimozën?

Për mua sukses është kur ke arritur gjithçka me aftësitë dhe zotësitë e tua dhe jo me shtytjen e të tjerëve (politike). Unë vlerësoj shumë rritjen dhe suksesin e grave me aftësi, guxim, profesionalizëm, se sa rritjen nëpërmjet politikës. I shikoj dy gjëra të ndryshme.

 

– Cilat janë projektet për të ardhmen?

Jam duke punuar për një projekt për ngritjen e një qendre rehabilitimi dhe argëtimi për moshën e tretë e cila është paksa e harruar sot nga shoqëria dhe shpresoj ta realizoj. Gjithashtu, do të vazhdoj të punoj për ruajtjen dhe forcimin e traditës dhe artizanatit, ku dhe për këtë kam në plan ngritjen e një ambienti dhe punësimin e 10 grave me veglat artizanale, një ambient që do të jetë i vizitueshëm për vizitorët që duan të njihen me traditën dhe kulturën e qytetit tonë.

 

– Cili është mesazhi që Mimoza u jep të gjitha grave?

Bëni për të tjerët atë që do të kishit dashur që të tjerët të bënin për ju, qëndroni sa më pranë njerëzve në nevojë ndihmojini me aq sa keni mundësi, pasi vetëm kështu do të mund të ndryshojë shoqëria dhe ju garantoj që do të ndiheni më të lumtur.

Përgatiti: Eglantina Alliaj

http://www.gazetarepublika.al/?p=39922