+355 67 67 677 pgj@plat.org

Në kuadër të Reformës aktuale Zgjedhore dhe rishikimit të dispozitave të Kodit Zgjedhor në lidhje me balancën gjinore në përfaqësimin politik, katër koalicionet më të mëdha në Shqipëri për mbështetjen dhe fuqizimin e grave:

 

Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje”

Rrjeti i Fuqizimit të Grave Shqiptare (AWEN).

Rrjeti i Grave Millenium.

 

Koalicioni për Pjesëmarrjen e Grave, të Rinjve dhe Minoriteteve në Politikë, me mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile të cilat operojnë në fushën e barazisë gjinore, fuqizimit të gruas dhe të drejtat e njeriut, si dhe me mbështetjen e UNWOMEN në Shqipëri, zhvilluan në datë 27 Janar 2012, Tryezën e Rrumbullakët të shoqërisë civile për diskutimin dhe hartimin e propozimeve të përbashkëta në lidhje më ndryshimet e Kodit Zgjedhor.

 

Gjatë këtij takimi u mblodhën së bashku, rreth 100 përfaqësues të shoqërisë civile nga e gjithë Shqipëria dhe u diskutua në lidhje me rishikimin e dispozitave të kodit zgjedhor në aspektin gjinor, kuotat e përfaqësimit të grave në listat e kandidatëve si në nivel qëndror, ashtu edhe në nivel lokal dhe në lidhje me një qëndrim të përbashkët të shoqërisë civile në mbështetje të arritjes së standardeve për barazinë gjinore në politikë e në vendimmarrje dhe demokracinë pjesëmarrëse në Shqipëri.

 

Për herë të parë tryeza formalizoi bashkimin e të gjithë organizatave të cilat operojnë për fuqizimin e gruas në vendimmarrje si dhe arriti bashkimin e shoqërise civile në një zë të vetëm me kërkesa të përbashkëta. Si rezultat i kësaj tryeze, së bashku me ekspertë gjinorë dhe ligjorë, u përmblodhën dhe u perpiluan kërkesat/rekomandimet e përbashketa teknike të cilat në vijim, u dorëzuan dhe u diskutuan pranë Komisiomit te Posacëm për Reformen Zgjedhore. Tryeza ishte hapi i parë i bashkëpunimit të shoqërisë civile, për të vijuar më tej me një sërë nismash te tjera të cilat do të zhvillohen gjatë javëve në vijim për të arritur mbështetjen e këtij koalicioni edhe nga deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, liderat e partive politike shqiptare, etj dhe përmbushjen e kërkesave për një pjesemarrje përfaqësuese të gruas në politikë dhe në vendimmarrje.

 

Duke u nisur nga përvoja në zgjedhjet e kaluara, kur ligji për kuotën 30 % të përfaqësimit të grave në listat zgjedhore hyri në fuqi, ky koalicion i gjërë organizatash kërkoi që Parlamenti Shqiptar dhe Komisioni i Posacëm për Reformën Zgjedhore të marrë në konsideratë kërkesat e shoqërisë civile për realizimin real të kësaj kuote si dhe cështje të tjera që lidhen me fuqizimin e gruas në politikë.

 

Më konkretisht, si rezultat i kësaj tryeze, në një zë të vetëm shoqëria civile kërkoi që:

 

1. Kodi Zgjedhor të garantojë nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm ligjorë, që të paktën 30% e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, të kryetarëve të Bashkive dhe Komunave, si dhe të këshilltarëve në nivel lokal të përbëhet nga gra e vajza.

 

2. Kodi Zgjedhor të parashikojë si sanksion refuzimin e listave nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, për mospërmbushjen e detyrimeve ligjore në lidhje me përfaqësimin gjinor në listat e kandidatëve nga partitë politike, si për zgjedhjet në nivel qendor, ashtu edhe për zgjedhjet në nivel vendor, deri në përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. (Një sanksion thjesht monetar për partitë politike që nuk përmbushin dispozitat përkatëse për përfaqësimin gjinor në listat e kandidatëve, do t’i zhvlerësonte tej mase këto dispozita dhe rëndësinë e tyre, si dhe do të shprehte një mungesë vullneti për ta realizuar realisht rritjen e përfaqësimit të grave dhe vajzave në politikë dhe në vendimmarrje.)

 

3. Kodi Zgjedhor të garantojë që të paktën 30% e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor të jenë gra dhe vajza.

 

4. Të fuqizohen dhe të zbatohen sanksionet për eliminimin e fenomenit të votimit familjar, i cili ndikon tejet negativisht, jo vetëm në procesin demokratik të zhvillimit të zgjedhjeve, por edhe specifikisht në të drejtën e grave dhe vajzave për të votuar dhe për t’u votuar.