+355 67 67 677 pgj@plat.org

Sekretarja e Shtetit Klinton ka thënë “Në mbarë botën po mësojmë se kur gratë janë të shëndetshme e të arsimuara, familjet e tyre përparojnë. Nëse gratë janë të lira nga dhuna, familjet e tyre do të përparojnë. Nëse gratë kanë mundësi të punojnë dhe të fitojnë si partnere të plota e të barabarta në shoqëri, familjet e tyre do të përparojnë. Dhe kur familjet përparojnë, përparojnë edhe komunitetet e kombet.” Këto fjalë janë veçanërisht me vend tani që festojmë Ditën Ndërkombëtare të Grave në mbarë botën dhe ndërkohë që vazhdojmë të hedhim hapa të mëdha përpara në progresin e tyre.

 

Më 10 dhjetor të vitit 2011, tre gra të jashtëzakonshme u nderuan me çmimin Nobel për Paqe, gra të cilat kishin drejtuar luftën për të drejtat e njeriut e demokraci në vendet e tyre – Presidentja Elle Johnson Sirleaf dhe Leymah Gbowee nga Liberia, dhe Tawakkol Karman nga Jemeni. Arritja e tyre nënkupton pranimin që i është bërë në skenën botërore rolit që duhet të luajnë gratë në punën e madhe për ndërtimin e paqes dhe komuniteteve të qëndrueshme në shekullin e 21-të.

 

Në dhjetor, Presidenti Obama shpalli për herë të parë Planin Kombëtar të Veprimit të SHBA-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke skicuar kështu një hartë për rrugën që do të ndjekin Shtetet e Bashkuara në përshpejtimin dhe institucionalizimin e përpjekjeve në qeveri për të shtuar pjesëmarrjen e grave në parandalimin e konfliktit dhe ruajtjen e paqes. Kjo nismë përfaqëson një ndryshim thelbësor në mënyrën se si SHBA-ja do të qasë mbështetjen e saj diplomatike, ushtarake dhe atë të zhvillimit për gratë në zona me konflikt, duke siguruar që këndvështrimet dhe mendimet për gjininë të ndërthuren në mënyrën se si Shtetet e Bashkuara përballen me proceset paqësore, parandalimin e konflikteve, mbrojtjen e qytetarëve dhe ndihmën humanitare.

 

Në këtë ditë ndërkombëtare të grave, Sekretarja e Shtetit Klinton dhe Zonja e Parë Mishel Obama do të organizojnë të gjashtin aktivitet të Çmimeve Ndërkombëtare për Gratë me Kurajë, ku do të nderojnë 10 gra të shquara nga e gjithë bota. Këto gra kanë treguar trimëri dhe aftësi drejtuese në përkrahjen e të drejtave dhe fuqizimit të grave, shpesh duke vënë veten e tyre në rrezik. Historitë e tyre përfaqësojnë vetëm pak nga drejtueset që tashmë po shfaqen anembanë botës. Megjithatë, ndërsa me të drejtë nderojmë arritjet, duhet të kujtojmë gjithashtu se Dita Ndërkombëtare e Grave është një mundësi për të përsëritur thirrjen për veprim, investim dhe përkushtim ndaj barazisë së grave. Jemi në një çast mundësish historike.

 

Sekretarja e Shtetit Klinton e ka quajtur këtë kohë “Epokën e Pjesëmarrjen”. Është koha kur çdo person, pavarësisht gjinisë apo tipareve të tjera, është gati të jetë anëtar kontribuues dhe me vlerë i shoqërisë së vetë. Anekënd botës jemi dëshmitarë të shembujve të Epokës së Pjesëmarrjes. (Shënim: Inkurajohen vendet të kontribuojnë me shembuj këtu në lidhje me rolin e grave në vendet e tyre dhe përpjekjet e SHBA-së për të inkurajuar barazinë dhe fuqizimin. Është e mundur gjithashtu të theksohen mbajtëse të mëparshme të çmimit Ndërkombëtar për Gratë me Kurajë, apo gra vendase “me kurajë”. Shënimi mbaron)

 

Gratë janë gur themeli në politikën e jashtme të Amerikës pasi fakt është se asnjë vend nuk mund të shpresojë të ecë përpara nëse lë pas gjysmën e popullsisë së vetë. Gratë dhe vajzat drejtojnë ekonomitë tona. Ato ndërtojnë paqe e begati. Investimi për to është në të mirë të përparimit të ekonomisë globale, qëndrueshmërisë politike dhe begatisë më të madhe për këdo – rendin botëror. Ndërsa nderojmë ato sot, le të rivendosim vendosmërinë tonë për të punuar për çështjen e barazisë çdo ditë të këtij viti.

 

Burimi:

http://tirana.usembassy.gov/press-releases2/2012-press-releases/op-ed-honoring-women-in-an-age-of-participation-march-08-2012.html