+355 67 67 677 pgj@plat.org

Disa organizata dhe rrjete të shoqërisë civile u bënë sot thirrje KQZ dhe partive politike që të zbatojnë ligjin që garanton përfaqësimin e grave e vajzave në pushtetin vendor. 14 shoqata, rrjete, qendra dhe forume që mbrojnë të drejtat e grave shqiptare kërkuan përmes një thirrje publike që 30 për qind e kandidatëve për kryetarë bashkish, komunash dhe këshilltarë të jenë gra në përputhje me ligjin.

 

Një nga përfaqësueset e shoqërisë civile, Edlira Çepani, nga “Rrjeti për barazi në vendimmarrje”, theksoi në konferencën e përbashkët të veprimtarëve, se ato nuk po kërkojnë favorizime, nuk po kërkojnë asgjë më tepër se sa thjesht zbatimin e ligjit nga KQZ dhe partitë politike. “Ligji shprehet qartë se 30 për qind të kandidimeve për parlament dhe pushtet vendor duhet të jenë gra e vajza. Jemi të bindur se partitë politiike dhe institucionet shtetërore do ta dëgjojnë thirrjen tonë për zbatimin e ligjit. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ata nuk duhet të harrojnë se gratë dhe vajzat zënë mbi 51 për qind të popullsisë shqiptare, që janë edhe votuese, dhe që duan të përfaqësohen në institucione” –  tha ajo.

 

Shoqëria civile i kërkoi KQZ që të mos miratojë listat e partive që nuk përmbushin minimumin 30 për qind të kandidaturave femra për bashki e komuna. Po ashtu veprimtaret e organizatave joqeveritare u bënë thirrje grave deputete që të mbështesin kandidaturat e grave për pushtetin vendor në mbledhjet e partive të tyre ku diskutohen këto kandidatura, dhe të mbajnë premtimet për përfshirjen më të madhe të grave në politikë. Ky grup shoqatash u bëri thirrje organizatave të tjera dhe gjithë qytetarëve që të bashkohen në këtë nismë dhe të mbështesin ato parti që kandidojnë gra e vajza, dhe që përfshijnë cështjet e grave në platformat e tyre politike.

 

Në Shqipëri veprojnë një numër i konsiderueshëm organizatash që mbrojnë të drejtat e grave si nga pikëpamja ligjore, sociale, familjare, politike apo arsimore. Vitet e fundit partitë politike futën në statutet e tyre një përqindje më të lartë të përfshirjes së grave e vazave në forumet vendimmarrëse, dhe bashkarisht vendosën në Kodin Zgjedhor edhe një kuotë minimale kandidimi për to.

 

Burimi:

http://www.voanews.com/albanian/news/Shoqeria-civile-kerkon-kandidimin-e-grave-per-bashki-e-komuna-118509344.html