+355 67 67 677 pgj@plat.org

Grate Ambasadore dhe shefet e misioneve në Shqipëri theksojnë rolin kyç të grave në zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe bëjnë thirrje për një pjesëmarrje të gjerë të grave në zgjedhjet e ardhshme vendore që do të zhvillohen në maj të vitit 2011

 

Këtë vit, gratë në Shqipëri dhe në të gjithë globin do të festojnë më 8 mars 100- vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të njohur kontributet e mëdha që kanë dhënë gratë gjatë këtyre 100 viteve për zhvillimin global. Kjo është gjithashtu një ditë për mobilizimin e mbështetjes për sfidat që kanë mbetur në të gjitha shoqëritë për arritjen e barazisë gjinore.

 

Shqipëria ka bërë hapa të mëdha në fuqizimin e grave nëpërmjet ngritjes së një kuadri të fortë legjislativ, duke përfshirë legjislacionin e rishikuar për barazinë gjinore dhe Kodin Zgjedhor të rishikuar, i cili parashikon një kuotë prej 30% për të gjitha postet e zgjedhura dhe të emëruara. Sfida tashmë mbetet në zbatimin e plotë të ligjit. Ne e nxisim qeverinë që të marrë më shumë përgjegjësi për arritjen e barazisë gjinore, duke përfshirë këtu edhe rritjen e alokimeve në buxhet dhe kapaciteteve profesionale të institucioneve në këtë drejtim.

 

Një fushë në të cilën zbatimi ka mbetur pas, lidhet me pjesëmarrjen e grave në politikë dhe në jetën publike. Pavarësisht kuotës së vendosur, pjesëmarrja e grave si profesioniste në poste të larta vendimmarrjeje dhe në politikë, veçanërisht në nivel vendor,mbetet e dobët. Një studim i fundit i kryer nga agjencia e OKB-së UN Women në Shqipëri tregon se partitë politike në nivel vendor nuk kishin plane të qarta mbi mënyrën e zbatimit të e kuotës, mbi mënyrën e uljes së numrit të votimeve familjare apo mbi mënyrën se si t’i drejtoheshin grave si një grup i veçantë interesi. Aksesi i barabartë i grave në vendim-marrje dhe në arenën politike në nivel vendor dhe qendror, është një element thelbësor që siguron integrim më të madh të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

 

Zgjedhjet e ardhshme vendore që janë caktuar për në datën 8 maj janë një mundësi e rëndësishme për ta rregulluar këtë mangësi. Ne inkurajojmë fuqimisht të gjitha partitë politike që të zbatojnë kuotën prej 30% me qëllim që t’i japin një kuptim të drejtave të grave për të votuar dhe për të marrë pjesë në drejtimin profesional të çështjeve publike pa u diskriminuar. Ne gjithashtu bëjmë thirrje për një monitorim efektiv të zbatimit të kuotës për postet e emëruara me qëllim që Shqipëria të përmbushë angazhimet e saj kombëtare dhe ndërkombëtare në këtë drejtim.

 

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike, organizatave të shoqërisë civile, sektorit privat dhe medias që të tregohen aktivë për të avancuar barazinë gjinore në Shqipëri. Ne kemi besim të plotë se kur vendi bën përparime në rritjen e barazisë gjinore, përfiton e gjithë shoqëria. Të drejtat e grave nuk janë luks për shoqëritë, por një parakusht për zhvillimin e një vendi. Siç thotë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon “Mbështetja e përparimit të shpejtë të femrave nuk është vetëm moralisht e drejtë, por i shërben edhe zhvillimit politik dhe ekonomik.”

 

Ambasadorja e Republikës Çeke, Marketa Fialkova

Ambasadorja e Egjiptit, Amina Imam Gomaa

Ambasadorja e Francës, Maryse Daviet

Ambasadorja e Gjermanisë, Carola Müller-Holtkemper

Ambasadorja e Polonisë, Irena Tatarzynska

Ambasadorja e Zvicrës, Yvana Enzler

Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona McIlwam

Koordinatorja e Përhershme e OKB-së, Zineb Touimi-Benjelloun

E ngarkuar ne detyre e UN Women, Heba El- Kholy

Shefe e Misionit,  IOM Nicoletta Giordano

Drejtoresha e Bankës Botërore në Shqipëri, Kseniya Lvovsky

 

Burimi: http://www.ama-news.al/2011/03/ambasadoret-ne-shqiperi-me-shume-gra-ne-qeverisje/