+355 67 67 677 pgj@plat.org

Pritja mori fund: Kancelarja Angela Merkel bëri të ditur rikandidimin para presidiumit të CDU-së në Berlin. Megjithë pakënaqësitë mes gjermanëve, shumë vetë nuk shohin alternativë më të mirë se kancelarja aktuale.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel është shprehur se do të kandidojë edhe një herë të katërt për unionin CDU/CSU në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në shtator 2017 në Gjermani, njoftojnë disa media gjermane. Po ashtu ajo do të rikandidojë edhe për postin e kryetares së CDU-së, shprehet kancelarja para presidiumit të CDU-së në një takim në Berlin të dielën (20.11).

 

62 vjeçarja Angela Merkel është kryetare e partisë kristiandemokrate, CDU nga viti 2000. Nëse mandati i saj do të merrte fund në shtator 2017, atëherë kjo do të thoshte se Merkel qëndroi në postin e kancelares 12 vjet, por nëse ajo fiton edhe në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, atëherë ajo arrin rekordin e ish-kancelarit, Helmut Kohl, 16 vjet kancelare.

 

Sondazhet inkurajuese për Merkelin

 

Së fundmi mjaft politikanë të CDU-së u shprehën energjikisht pro një kandidature të katërt të Merkelit si kancelare. Politikani për çështjet e brendshme në CDU, Wolfgang Bosbach është shprehur për gazetën “Welt am Sonntag” se me asnjë kandidat apo kandidate tjetër shanset e unionit nuk do të ishin më të mira. Edhe sondazhet e fundit janë inkurajuese, shumica e mbështet një rikandidim të Merkelit.

 

Në një sondazh të Emnid, të cilën e citon gazeta “Bild”, 55% e gjermanëve duan që Merkeli të kandidojë për një mandat të katërt. Ndërkohë që 39% nuk duan që Merkeli të qëndrojë kancelare. Megjithatë atmosfera në Gjermani është përmirësuar në favor të Merkelit, po të kujtojmë se në gusht ishin 50% e gjermanëve kundër një kandidature të re të kancelares Merkel, e vetëm 42% e të anketuarve e mbështesnin atë.

Link: www.dw.com/sq/pa-alternativ%C3%AB-merkel-do-t%C3%AB-luftoj%C3%AB-p%C3%ABr-mandatin-e-kat%C3%ABrt/a-36457276