+355 67 67 677 pgj@plat.org

Kanë kaluar 4 vjet që nga koha kur lëvizja shqiptare për rritjen e pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje, u kurorëzua me sanksionimin e kuotës gjinore në ligj. Konkretisht, ligji “Për barazinë gjinore në shoqëri” (2008) dhe Kodi Zgjedhor (2009), vendosën kuotën e përfaqësimit të barabartë gjinor, të shoqëruar nga një sistem masash garantuese. Tashmë, në prag të përfundimit të reformës zgjedhore, është e nevojshme të sjellim edhe një herë në vëmendje çështjet dhe problemet që vazhdojnë të sfidojnë formulat e kuotave gjinore dhe rezultatet e saj. Duhet pranuar se deri tani, këto rezultate kanë qenë të pamjaftueshme. Si në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, ashtu edhe në zgjedhjet vendore, norma e përfaqësimit të grave mbeti larg kërkesave të kuotës, e cila kishte parashikuar mbi 30% pjesëmarrje për të dyja gjinitë. Në fakt, qysh në listat e kandidatëve të paraqitura nga subjektet elektorale, ishin vënë re shifra dhe renditje joshpresëdhënëse. Për rrjedhojë, përfaqësimi i grave në Kuvend, krahasuar me legjislaturën e mëparshme, u rrit nga 7% në 16.7%. Kurse, në zgjedhjet vendore, si kryetar bashkie/komune arritëm një përfaqësim prej 1,31%, ndërkohë që si këshilltare gra, u zgjodhën vetëm 12,4%.

 

Nisur nga rezultatet e mësipërme, mund të shtrohen disa pyetje. Njëra prej tyre i ka munduar vazhdimisht skeptikët ndaj kuotës: a ka ndonjë vlerë reale sanksionimi në ligj i saj? Debati dhe qëndrimi kritik në lidhje me të u ndie sidomos në prag të sanksionimit ligjor, duke e akuzuar kuotën si një masë diskriminuese për burrat dhe një dhunim të meritokracisë. Në kohën që po flasim, ky debat duket disi i davaritur. Megjithatë, kemi arsye të besojmë se, krahas disa faktorëve të tjerë, skepticizmi dhe kriticizmi e kanë dëmtuar seriozitetin e qëndrimeve të partive politike dhe subjekteve elektorale, ndaj masave pozitive si kuota. Përvoja botërore dhe në veçanti ajo europiane, kanë dëshmuar se, suksesi i kuotës nuk varet thjesht nga fakti nëse ajo është parashikuar në Kushtetutë a në ligj, por nga puna e vërtetë që zhvillohet për respektimin e saj. Pika qendrore e zbatimit të sistemit janë partitë politike, pa të cilat kuotat bëhen krejt të pasuksesshme. Në vendet skandinave, të cilat janë shembulli më i mirë i barazisë në përfaqësimin politik të të dyja gjinive (35-47%), nuk është adoptuar asnjëherë një kuotë legjislative. Aty kanë mbizotëruar kuotat e parashikuara në statutet e partive politike, e madje, në disa vende nuk ka pasur fare kuotë të shkruar. Suedia, e cila ka kuotë të parashikuar brenda partive politike, ka vite që arrin mbi 47% në përfaqësimin e grave në Parlament. Edhe Finlanda e Danimarka, që nuk kanë një sistem kuote të parashikuar posaçërisht, janë renditur në vendet me përfaqësimin më të lartë të grave në Europë.

 

Situata e trajtimit të kuotave në vendet e Bashkimit Europian ka ndryshuar rrënjësisht vitet e fundit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese spanjolle (29 Janar 2008), solli një sërë argumentesh që legjitimojnë sistemin e kuotave, si një sistem plotësisht kushtetues. Ai iu kundërvu vendimeve të mëparshme të Gjykatave të Francës dhe Italisë, që i kishin konsideruar kuotat diskriminuese. Debati mbi kuotën e ka zhvilluar mjaft logjikën dhe nocionet kushtetuese. Kështu, nga një përpjekje fillestare për ta justifikuar atë me konceptin e “diskriminimit pozitiv”, ka fituar terren koncepti i kuotës si “masë pozitive” ose si “masë për barazi”, me qëllim kompensimin për diskriminimin strukturor tradicional të grave. Nga nocioni liberal i “mundësive të barabarta”, po shkojmë drejt konceptit të “barazisë së rezultateve”, i cili presupozon një barazi reale dhe jo thjesht, një barazi formale.

 

Në këtë vështrim, duhet pranuar se kuotat janë bërë më popullore në rajonin e Ballkanit. Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, përdorin kuotat e parashikuara në legjislacionin elektoral. Megjithatë, këto vende mbeten ende në normat më të ulëta të përfaqësimit të grave (10-20%). Sidoqoftë, ka pasur edhe raste kur kanë arritur një përfaqësim të konsiderueshëm, siç ishte rasti i Maqedonisë, pas vendosjes së kuotës në vitin 2006. Ndër këto vende, Shqipëria, edhe pse ka një kuotë legjislative, mbetet me përfaqësimin më të ulët në organet e zgjedhura. Është e nevojshme të analizojmë shkaqet e kësaj situate. Një nga problemet më të rëndësishme që kanë evidentuar studiuesit në këto raste, është ai i mungesës së arsimimit dhe edukimit të grave. Por, në Shqipëri, ky problem nuk është i ndjeshëm. Numri i grave të arsimuara është i konsiderueshëm madje, deri në ciklin e tretë të studimeve universitare, atë të doktoraturës. Kjo është edhe arsyeja e një norme dinjitoze përfaqësimi në profesione të ndryshme si, në organet e drejtësisë, në arsim dhe në disa profesione të tjera. Po kështu, pjesëmarrja e gruas shqiptare është e dukshme në organizatat e shoqërisë civile dhe në drejtimin e tyre. Mendojmë se ajo çka duhet përmirësuar, është anëtarësimi i tyre në partitë politike, pasi duket që aty kanë një përfaqësim të ulët. Për këtë, vëmendja drejtohet edhe te fuqizimi ekonomik i tyre, gjë që veç të tjerash, do të ndihmojë në rritjen e aktivizmit të grave në politikë. Është e rëndësishme që ky ndryshim të shihet edhe nga pikëpamja demografike, duke tentuar zhvillime të posaçme në zonat rurale, si dhe në disa zona të Shqipërisë ku përfaqësimi politik mbahet ende si një domen i burrave.

 

Në tërësi, Shqipëria nuk paraqet probleme serioze të pamundësisë së realizimit të kuotave gjinore e për më tepër, ka shembuj mjaft optimistë. Aktivizmi i grave parlamentare në legjislaturën e fundit, ka qenë i dukshëm dhe me ndikim të fortë në disa çështje të rëndësishme, sidomos në miratimin e ligjeve të reja me shumicë të cilësuar, në ligjet kundër dhunës në familje, kundër diskriminimit, etj. Kështu, u bë i njohur për të gjithë kontributi i deputeteve gra, juriste, në ndryshimet rishtazi të Kodit Penal. Kryetarja e Kuvendit, edhe ajo një grua, ka dëshmuar një konsistencë të fortë politike. Gratë në politikë kanë treguar vizionin e tyre dhe nuk janë përqendruar vetëm në çështjet për gratë e fëmijët. Ato kanë qenë aktive edhe në trajtimin e problemeve të politikës mbarëkombëtare, duke fituar identitet më të gjerë përfaqësues. Këto ilustrime dëshmojnë qartë se, gratë shqiptare e rrëzojnë shpejt mitin, sipas të cilit vetëm burrat kanë mundësitë dhe cilësitë e duhura për përfaqësim.

 

Çështja që shtrohet aktualisht është: si ta bëjmë kuotën të funksionojë dhe të arrijë objektivat e saj? Në këtë kuadër, Kuvendi dhe Komisioni i Reformës Zgjedhore kanë mundësi për të sanksionuar në Kodin Zgjedhor të gjitha garancitë e nevojshme. Partitë politike kanë rastin të përgjigjen me seriozitetin e tyre. Të gjithë studiuesit i bashkohen konkluzionit se, sistemi proporcional zgjedhor që ekziston në Shqipëri, konsiderohet si sistemi më i përshtatshëm që lehtëson zbatimin e kuotës gjinore. Kështu, kemi mundësinë ta shfrytëzojmë këtë lehtësi teknike. Përveç kësaj, garantimi i zbatimit të kuotës kërkon një sistem efikas të rregullave të renditjes së kandidatëve. Sistemi i gjobave për subjektet elektorale që nuk respektojnë kuotën, është një masë e rëndësishme, por nuk përmbush të gjithë faktorët e nevojshëm për zbatimin e saj. Përvoja ka treguar se garancitë më të mëdha jepen nga respektimi i numrit të kandidatëve në listë dhe renditja e tyre sipas rregullit të alternimit (rregullat rank order). Pa një renditje alternative të të dyja gjinive në të gjithë listën, nuk presim asgjë të re. Për këtë arsye, këtu është fokusuar edhe puna e katër koalicioneve ad-hoc të shoqërisë civile, që po mbështeten me përkushtim nga “UN Women”. Është koha ta bëjmë këtë ndryshim. Tani e gjithë shoqëria është e përgatitur dhe e pret një Kuvend me 30% gra. Do të ishte një arritje e bukur për Shqipërinë në kuadrin e kandidimit të saj për Bashkimin Europian. Besojmë se “nuk është shumë e bukur për të qenë e vërtetë”. Është plotësisht e realizueshme; mjafton që parlamentarët e partitë politike të shohin në sy realitetin dhe të kenë vullnetin e duhur politik.

 

Prof. Dr. Aurela Anastasi

Burimi:: Gazeta Shqip

http://gazeta-shqip.com/lajme/2012/05/24/garantimi-i-perfaqesimit-gjinor-te-barabarte-ne-reformen-zgjedhore/