+355 67 67 677 pgj@plat.org

Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje” ka krijuar prej më shumë se një viti “Akademinë e Grave Këshilltare Bashkiake në Shqipëri”, me mbështetjen e National Endowment for Democracy. Kjo iniciativë synon fuqizimin e përfaqësimit dhe rolit të grave në Këshillat Bashkiakë në Shqipëri, janë angazhuar 60 gra këshilltare bashkiake nga 3 qarqe dhe 9 Bashki të Shqipërisë, Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Durrës, Shijak, Krujë, Korçë, Pogradec dhe Devoll.

Në kuadër të kësaj nisme Rrjeti ka organizuar një aktivitet të përbashkët me gratë këshilltare pjesë e Akademisë. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte për të shkëmbyer eksperiencat dhe për të vendosur ura bashkëpunimi midis  grave këshilltare, grave deputete dhe grave eksperte. Të pranishme në këtë aktivitet ishin deputetet: Znj. Dhurata Çupi, Znj. Eglantina Gjermeni, Znj. Albana Vokshi dhe Znj. Nora Malaj si dhe me znj. Klodeta Dibra, Kryetare e Aleancës Kombëtare të Grave Këshilltare dhe Migena Balla, kryetare e Aleancës së Grave Këshilltare të Këshillit të Bashkisë së Vlorës. Në këtë takim Gratë këshilltare paraqitën propozimet e tyre për të përmirësuar mirëqenien e komunitetit, në veçanti të grave dhe vajzave në Bashkitë e tyre, duke sugjeruar nisma, që lidhen me infrastrukturën urbane, fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave, mbështetjen financiare të grave kryefamiljare dhe të familjeve në nevojë dhe kujdesin parashkollor. Më tej u firmos zyrtarizimi i bashkëpunimit midis grave vendimmarrëse në pushtetin vendor dhe në pushtetin legjislativ për të fuqizuar rolin e grave në politikë dhe statusin e grave në Shqipëri.

Përgjatë 1 viti Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje” ka punuar intensivisht me gratë këshilltare për të ndërmarrë nisma konkrete për komunitetin e tyre. Pas kësaj nisme të suksesshme, Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje” do ta zgjerojë edhe në qytete të tjera këtë nismë.

#NationalEndowmentforDemocracy #BaraziNeVendimmarrje #EDM 

#KnowYourLocalGovernement