+355 67 67 677 pgj@plat.org

Artikuj

Aktivizimi Fillon nga Ti!

04/10/2021

Rrjeti "Barazi në Vendimmarrje" & Rrjeti AS@N

Aktivizmi fillon nga TI! Një nismë e realizuar nga të rinjtë, për të rinjtë, me të rinjtë në kuadër të Ditës së Solidaritetit dhe Aktivizmit Social 2020 në bashkëpunim me Rrjetin e Studentëve Shqiptarë në Botë (AS@N) dhe Rrjetin Barazi në Vendimmarrje. Gjatë vitit 2020 për herë të parë në Shqipëri u realizua Dita e Solidariterit dhe Aktivizmit Social, në të cilën u perfshinë 267 të rinj dhe 57 kompani, nga Tirana, Elbasani dhe Durrësi. Kompanitë ofruan 150 pozicione pune dhe të rinjtë u angazhuan në një ditë praktikë pranë kompanive, duke punuar dhe më pas duke e dhuruar pagesën e tyre simbolike ditore duke krijuar një fond total me vlerën 178.800 Lek.

Dita e Solidaritetit dhe Aktivizmit Social është një nismë që fuqizon të rinjtë dhe nxit solidaritetin në komunitet. Të rinjtë ia dedikojnë 1 ditë në vit një pune që e zgjedhin ata në një kompani private, institucion/agjensi publike, organizatë, etj dhe pagën simbolike të asaj dite e dhurojnë për nisma solidariteti. Me kontributet e grumbulluara në Ditën e Solidaritetit mbështeten nisma rinore nga e gjithë Shqipëria, që synojnë fuqizimin dhe aktivizmin e të rinjve, edukimin, të drejtat e barabarta dhe qytetarinë, të cilat përzgjidhen me votë nga vetë të rinjtë pjesëmarrës në ditën e solidaritetit gjatë Asamblesë së Përgjithshme.

Për vitin 2020, u votua nisma “Aktivizmi Fillon nga Ti” e ndërmarrë nga 3 të rinj për komunitetin e tyre, për të kontribuar në përmirësimin dhe aksesin në një mjedis të shëndetshëm edukativ në shkollat 9 -vjeçare “Gjergj Fisha”, “Isa Boletini”, dhe “Skënder Luarasi ” në Njësinë Administrative 11, Tiranë. Nisma bëri të mundur rindërtimin e bibliotekave për nxënësit me rafte librash dhe pasurimin me libra të rinj për shkollat, me tema kundër diskriminimit e bullizmit dhe pro gjithëpërfshirjes. Në të 3 shkollat, në të cilat studiojnë nxënës nga komunitete të ndryshme, komuniteti rom, egjiptian, etj, u realizuan edhe trajnime me 90 nxënës që u përfshinë në këtë nismë, duke ofruar një qasje në mësimin joformal për të luftuar diskriminimin dhe gjuhën e urrejtjes dhe duke krijuar e realizuar së bashku në shkolla mesazhe dhe ndërgjegjësim kundër diskriminimit nëpërmjet artit.