+355 67 67 677 pgj@plat.org

Artikuj

Gratë në lista – Fasadë apo fuqi?!

Gazeta MAPO

05/04/2021

Blerina Gjoka
Edlira Cepani

Gratë dhe vajzat plotësojnë një kuotë të detyruar ligjore në masën 30 për qind në listat e kandidatëve për deputetë të partive politike, por a përbëjnë ato një përfaqësim dinjitoz në këto lista apo janë një fasadë e kryetarëve të partive?! Analizojnë për gazetën MAPO dy aktiviste të shoqërisë civile, Edlira Çepani.

Nga Blerina Gjoka
Politika shqiptare dominohet nga burrat duke e bërë të vështirë që gratë dhe vajzat të jenë një zë serioz në konkurrimin demokratik dhe meritokracinë në karrierën e tyre. Nga viti 1991 shumë pak gra kanë arritur të kenë pozicione drejtuese në partitë politike apo në institucionet e rëndësishme shtetërore. Për shkak të një parlamenti të dominuar nga burrat gratë e fituan përfaqësimin e tyre me anë të një detyrimi ligjor. Në Kodin Zgjedhor të miratuar në vitin 2008 është parashikuar që 30 për qind të listave të kandidatëve të partitë të jenë gra dhe vajza dhe 1 në 3 emra në renditjen e listës të sigurojnë këtë përfaqësim gjinor. Por, pavarësisht këtij detyrimi ligjor kemi parë që partitë kanë përdorur mekanizma jotransparentë duke shmangur futjen e grave në parlament. Parlamenti që doli nga zgjedhjet e 2017-ës theu një rekord në përfaqësimin gjinor, 39 deputete nga 140, ose 27.85 për qind. Ky është niveli më i lartë i përfaqësimit të grave në Kuvendin e Shqipërisë që prej 1992 kur u zhvilluan zgjedhjet e para pluraliste. Në zgjedhjet e 25 prillit në listat e dy partive kryesore në vend janë 103 gra, 54 gra në listat e PS-së dhe 49 në listat e PD-së.

Në këto zgjedhje parlamentare për herë të parë kemi dy gra që futen si kryetare të partive politike, Monika Kryemadhi e LSI-së dhe Jozefina Topalli, ish-kryetare e Kuvendit, me “Lëvizja për ndryshim”. Disa prej kandidatëve në këto lista janë gra e vajza që vijnë në lista me një karrierë të gjatë politike dhe profesionale, por shumë prej tyre janë emra të panjohur dhe shihen vetëm si fasadë e këtyre listave të futur aty nga zgjedhja personale e kryetarëve të dy partive të mëdha. Më shqetësuese se vetë përfaqësimi numerik i grave është gjuha seksiste që përdoret në fushatë dhe që është kthyer në normë nga burrat politikanë. Rasti më i fundit ishte sjellja e kryeministrit Edi Rama i cili përdori një gjuhë seksiste ndaj një prej kandidateve kryesore të partisë kundërshtare, Grida Duma.

Deklaratat e tij krijuan një reaksion të shoqërisë civile, por kjo nuk e zgjidhi problemin. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tentoi ta përdorte momentin për të treguar se ai është kundërthënie e kryeministrit duke mbledhur gratë kandidate demokrate në një takim elektoral. Por pavarësisht Bashës që foli për promovimin e barazisë gjinore, nga ky takim ajo që u mbajt mend ishte falënderimi që disa prej grave kandidate i bënë Bashës për futjen në listën e kandidatëve duke e parë barazinë gjinore si një “dhuratë”, jo si një të drejtë. Në parlamentin e ri e sigurt është që do të kemi shumë gra por nuk e dimë se sa pushtet real do të kenë ato në vendimmarrjen politike. Kuotat e detyruara dhe promovimi që vjen nga lart nuk japin garanci për fuqinë që do të ushtrojnë gratë në politikëbërje. E qartë është se jemi akoma larg standardeve perëndimore në këtë fushë, ndoshta dhe shumë larg nga Kosova pranë nesh, ku një grua, Vjosa Osmani, arriti të marrë numrin më të lartë të votave nga çdo kandidat tjetër në lista në zgjedhjet e fundit.

Edlira Çepani: Përfaqësimi është rritur, por s’ka hapësirë në vendimmarrje

Përfaqësimi i grave dhe vajzave është rritur ndjeshëm në mënyrë konstante në 10 vitet e fundit, për shkak të ndërgjegjësimit dhe advokimit këmbëngulës të shoqërisë civile dhe organizmave ndërkombëtarë. Kështu shprehet Edlira Çepani, aktiviste e shoqërisë civile. Por sipas saj, ka ende shumë për të bërë që perspektiva gjinore të jetë domethënëse dhe efektive në çdo ligj e vendim që merret.

Në këndvështrimin tuaj si po zhvillohet fushata zgjedhore e partive? A është kjo një fushatë e alternativave politike apo një fushatë e konfliktit politik, ku siç kemi parë nuk mungojnë dhe bullizmi apo seksizmi, si teknika të tërheqjes së vëmendjes nga problemet reale të vendit? Cili është komenti juaj?

Personalisht më duket sikur ka dy arsye kryesore për bullizimin politik, propagandën e tepruar boshe, mungesën e seriozitetit dhe mbi të gjitha agresivitetin seksist. Arsyeja e parë është patjetër tërheqja e vëmendjes nga problemet reale dhe mungesa e seriozitetit të platformave të ofruara. Arsyeja tjetër që më vjen ndër mend është dekurajimi i votuesve gri, i atyre votuesve të cilët janë pjekur mjaftueshëm për të kuptuar dhe kërkuar programe serioze, alternativa të qarta dhe llogari. Për këta votues, që nëse i shohim nga sondazhet janë me shifra thuajse të barabarta me ato të partive më të mëdha (diku tek 20% në sondazhet e fundit), vijohet bombardimi me konceptin se politika nuk ka shpresë dhe do jetë gjithmonë kështu dhe se qytetarët nuk kanë asgjë në dorë për ta ndryshuar, në mënyrë që të humbasin besimin te fuqia e votës së tyre.

Kjo ndodh për dy arsye, e para sepse në këtë mënyrë gara bëhet thjesht mes mbështetësve të partive me votat që tashmë janë të stabilizuara prej dekadash dhe nëse kjo shtresë e ashtuquajtur gri voton, ajo kërkon program, ekipin e duhur dhe rritje standardi të politikës dhe të llogaridhënies gjatë qeverisjes. Arsyeja e dytë është sepse dihet se kjo shtresë, nëse voton, mund të bëjë ndryshimin dhe të sjellë surpriza të mëdha në rezultatet e zgjedhjeve. E gjithë kjo përpjekje bëhet që votuesit të mos e vënë në provë forcën e tyre, sepse nëse e shohin njëherë të vetme dhe e kuptojnë forcën që kanë, atëherë nuk ka më kthim mbrapa për partitë politike, që preferojnë të kenë pushtetin absolut edhe mbi votën. Synimi pra, është që votuesit të dekurajohen dhe t’i braktisin votimet, në mënyrë që të mos vendosë shumica, por pakica e kontrollueshme.

Ndonëse elementët negativë janë më të dukshëm, kjo fushatë ka disa hapa përpara ku disa prej partive kanë ardhur me programe të qarta, madje disa prej tyre edhe me ide projektligjesh të gatshme. Nga ana teknike kjo fushatë ka disa specifika, duke filluar nga situata e pandemisë e deri te sistemi paksa i ndryshuar zgjedhor ku normalisht duhet të ketë më shumë vëmendje te kandidatët, për shkak të elementit të ri të votimit preferencial në këto zgjedhje. Ky element ndonëse i paplotë është një hap përpara drejt fuqizimit të marrëdhënies mes kandidatëve dhe votuesve. Shihet qartë se mungon ende përballja serioze mbi programet, debatet mes drejtuesve dhe parashtrimi i alternativave të qarta, por duket se ka një ndërgjegjësim pozitiv të votuesve të cilët po kërkojnë më shumë llogari.

Si e shihni përfaqësimin e grave dhe vajzave në listat e kandidatëve të partive politike, a ka avancuar përfaqësimi, jo vetëm në shifra, por dhe në rolin e tyre në këto zgjedhje?

Përfaqësimi i grave dhe vajzave është rritur ndjeshëm në mënyrë konstante në 10 vitet e fundit, për shkak të ndërgjegjësimit dhe advokimit këmbëngulës të shoqërisë civile dhe organizmave ndërkombëtarë që veprojnë në Shqipëri. Një maratonë e gjatë hapash të ndërmarrë, ka sjellë një rezultat pozitiv, prej afërsisht 30% përfaqësimi në Parlament dhe 44% në nivel vendor, por që ende nuk është i mjaftueshëm për aq kohë sa politika duhet të jetë përfaqësuese e popullsisë dhe gratë përbëjnë 50% të saj. Për sa i përket fuqisë vendimmarrëse, patjetër që me forcën që japin numrat edhe ajo ka qenë në rritje, ndonëse me barriera dhe pengesa më të mëdha.

Në Parlament, disa prej ligjeve dhe amendimeve pozitive të cilat kanë të bëjnë më dhunën me bazë gjinore, strehimin, çështjet sociale, janë nisur e realizuar nga gratë vendimmarrëse. Në Këshillat Bashkiakë buxhetimi gjinor ka patur shtysa të njëpasnjëshme nga gratë këshilltare dhe Komisionet e Barazisë Gjinore. Edhe në këtë aspekt sidoqoftë, ka ende shumë për të bërë që perspektiva gjinore të jetë domethënëse dhe efektive në çdo ligj e vendim që merret, në çdo ndikim që mund të ndihet te programet zgjedhore të partive politike dhe në çdo buxhet që miratohet qoftë në nivel qendror, qoftë në nivel vendor.

A janë gratë dhe vajzat vetëm fasadë sepse kanë dashur kryetarët e partive që t’i fusin në lista apo kemi një përfaqësim dinjitoz të tyre. A mendoni se ato do të kenë nesër pushtet dhe protagonizëm në vendimmarrjen politike dhe legjislative?

Kemi parë që aty ku parashikimet ligjore dhe sanksionet përkatëse për përfaqësimin gjinor nuk janë të forta mjaftueshëm, kemi patur shkelje të njëpasnjëshme dhe mos vendosje të vajzave dhe grave në lista e në pozicione vendimmarrëse (për shembull në rastet kur nuk parashikohen kuota, apo kur sanksionet nuk kanë qenë refuzim liste por gjoba, si në zgjedhjet e kaluara). Kjo tregon që ende nuk ka vullnet për t’i dhënë hapësirë barazisë gjinore në vendimmarrje, ndaj dhe numrat që janë arritur, nuk janë dhuratë e kryetarëve apo e partive politike, por janë zbatim i parashikimeve ligjore.

Në nivel ekzekutiv ndërkohë ka patur një vëmendje të ndjeshme për garantimin e barazisë gjinore, sidomos për sa i përket kabinetit qeveritar dhe ky është një hap shumë pozitiv. Disa nga praktikat më të mira të fuqizimit të zërit dhe pozitës së grave në politikë kanë qenë aleancat multipartiake mes tyre për kauza të përbashkëta, që nga Aleanca e Grave Parlamentare e deri tek Aleancat e Grave Këshilltare Bashkiake. Ka një sërë problematikash të cilat pengojnë në mënyrë serioze kandidimin e grave në politikë, që duke filluar nga mungesa e aksesit në financat publike të partive politike, te hapësira dhe zëri që kanë në media dhe patjetër te seksizmi i shtuar ndaj tyre që e shohim së shumti gjatë kësaj fushate.

Një nga aspektet që ka ende nevojë për shumë përmirësim është portretizimi i grave dhe vajzave në media, për shembull nga një monitorim i medias që kemi kryer në zgjedhjet e kaluara gratë kandidate ishin prezente vetëm 16% ndërkohë që burrat kandidatë 84%. Besoj rezultatet pasuese janë të qarta, me pyetjen, “ku janë gratë e politikës”? Nga ana tjetër shpesh na thuhet, se vendosja e grave në lista është përdoret si artific apo përmbushje favoresh nga partitë politikë dhe jo si një mundësi për të promovuar gra apo vajza me potencial, por ky është një fenomen që nuk ka bazë gjinore dhe që ndodh edhe me burrat e djemtë kandidatë dhe që ka të bëjë me mënyrën se si partitë politike i përzgjedhin së brendshmi kandidatët e tyre. Ndërkohë seksizmi i theksuar, si formë e dhunës ndaj tyre, është një barrierë për të gjitha gratë dhe vajzat, por edhe për modelin e një politike që nuk pranon ndarje të pushtetit tradicional, qoftë me gratë, qoftë me të rinjtë, qoftë me të aftët… Me gjithë këto barriera, gratë dhe vajzat ia kanë dalë deri tani të kenë zërin e tyre në vendimmarrje dhe sa më shumë të mbështetet dhe të bëhet realitet një politikë më përfaqësuese, aq më mirë do funksionojë ajo, jo vetëm për gratë dhe vajzat, por për të gjithë shoqërinë.

https://gazetamapo.al/grate-ne-lista-fasade-apo-fuqi/