+355 67 67 677 pgj@plat.org

Individë të informuar, të organizuar që raportojnë menjëherë dhunën, komunitete vendore të informuar janë hapat që duhet të ndërmerren për të dekurajuar publikisht dhunën. Ka qënë ky reagimi i ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, referuar ngjarjes makabre në Korçë, ku një 41-vjeçar vari dy fëmijë e më pas veten.

 

“Për këtë arsye na duhen individë të informuar, të organizuar që raportojnë menjëherë dhunën. Na duhen komunitete vendore të informuar dhe të organizuar. Kjo e para. Dhe e dyta unë besoj që duhet të fillojmë të dekurajojmë publikisht dhunën. Unë jam thellësisht i shqetësuar që dhuna promovohet në retorikën publike, jo rrallë edhe nga politikanët. Nuk ka gjë më të dhimbshme sesa të shohësh, sa shumë referime ka për dhunë në familje në Shqipëri”, tha z. Tahiri.

 

Ministri i Brendshëm i kërkoi politikës “të lërë dënglat dhe të promovojë qytetarë që respektojnë ligjin, që nuk i dedikohen dhunës”.

 

“Unë jam thellësisht i shqetësuar që dhuna promovohet në retorikën publike, jo rrallë edhe nga politikanët. Nuk ndodh rrallë që edhe në parlament të dëgjosh retorikë dhune. Të dëgjosh cilësime si: ‘ndrikulla apo lavire’, për deputetet gra në parlament. Apo të shohësh episode dhune të cilat nuk mbeten vetëm brenda mureve të parlamentit, por çojnë sinjale dhune dhe tek qytetarët. Ndaj unë them që politika t’i lërë dënglat dhe të promovojë qytetarë që respektojnë ligjin, qytetarë që nuk i dedikohen dhunës dhe të refuzojnë të gjithë së bashku dhunën”, tha ministri Tahiri

 

Ndërsa referuar rastit të Fierit, ku një grua u hodh nga kati i 4-rt i shtëpisë nga bashkëshorti i saj, ndërkohë që kishte një urdhër mbrojtje, ministri tha se detajet e çështjes do të bëhen publike sipas rastit, por duhet ndaluar promovimi i dhunës në Parlament e kudo tjetër.

Link: http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=342262#k1