Çfarë është platforma virtuale

 

Platforma Virtuale e Grave në Vendimmarrje, nisi si një ide e Rrjetit të Grave Barazi në Vendimmarrje, në kuadër të forcimit të infrastrukturës së komunikimit dhe rritjes së pjesëmarrjes të femrave në të gjitha proceset sociale dhe në strukturat vendimmarrëse shqiptare duke u krijuar atyre shanse për informim më të mirë, për pjesëmarrje më të lartë dhe cilësore në proceset vendimmarrësë si dhe për mbështetjen e barazisë gjinore, qoftë në vendimmarrje e në politikë, qoftë në fushat kyçe të zhvillimit të gruas në Shqipëri.

 

Kjo platformë synon të përmbledhë statistikat në lidhje me përfaqësimin gjinor në vendimmarrje dhe t’i bëjë ato të aksesueshme lehtësisht nga çdo qytetar, organizatë apo institucion i interesuar. Gjithashtu nëpërmjet përmbledhjes së të gjithë studimeve, hulumtimeve e publikimeve që janë realizuar dhe do vijojnë të realizohen nga organizma publikë apo jopublikë, synojmë të krijojmë një panoramë të qartë të situatës aktuale, punës që është kryer deri tani dhe mekanizmave efektivë që mund të përdoren në të ardhmen.

 

Ky portal është një mundësi më shumë promovimi, komunikimi, informimi dhe aktivizimi për të gjitha gratë, të gjithë qytetarët, organizatat dhe institucionet të cilat duan të japin kontributin e tyre në arritjen e barazisë gjinore si në strukturat vendimmarrëse dhe në shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Kjo platformë synon të zhvillohet pikërisht në sajë të kontributit të përbashkët të këtyre aktorëve kyc.

 

Portali do të përmbajë gjithashtu informacion mbi femrat në politikë, biografitë dhe aktivitetet e tyre, të cilat do të dëshirojnë ta përdorin këtë hapësirë për të rritur vizibilitetin e tyre si një vend për informim të publikut dhe të votuesve.

 

Kjo platformë do të bëhët edhe më e aksesueshme për gratë, qytetarët shqiptarë, organizatat dhe institucionet, nëpërmjet seminareve informative dhe trajnimeve në fushën e përdorimit të mediave sociale, të cilat do të zhvillohen në çdo qark të Shqipërisë, si mundësi të reja informimi, bashkëpunimi dhe promovimi të çështjeve me interes për vetë gratë dhe për komunitetin.

 

Duke qenë se interneti është një nga mjetet më të fuqishme, të arritshme dhe me kosto efektive të komunikimit kjo platformë virtuale synohet të kthehet së shpejti në një nga zërat më të fortë të grave dhe të komunitetit në lidhje me çështjet e barazisë gjinore dhe të forcimit të rolit të gruas në vendimmarrje.

 

*****

 

Në hapësirat e portalit do të gjeni informacione të ndryshme të cilat kanë në fokus barazinë gjinore në vendimmarrje. Ju mund ta përdorni këtë platformë, qoftë për të përfituar informacion, qoftë për të publikuar informacione në lidhje me gratë në vendimmarrje, problematika, statistika, artikuj, lajme, njoftime për aktivitete, etj.

 

Nje koment tek “Çfarë është platforma virtuale”

  1. Lumnije says:

    komente te bukura dhe shume drejt

Komento