+355 67 67 677 pgj@plat.org

Kthimi i Shqipërisë në destinacion turistik jo vetëm për vendet e rajonit por dhe më gjerë, si dhe nxitja me investime konkrete në këtë sektor, ishte qëllimi i organizimit të një tryeze të veçantë dhe të munguar deri më tani nga Shoqata e Konsujve të Nderit. Nën drejtimin e Presidentit Ndroqi, konferenca e tretë e Konsujve të Nderit mundësoi një dialog frytdhënës me prani të Ministrave përkatës, diplomatë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë të ekonomisë dhe artistë si Ambasadorë të kulturës. Në tryezë u ngritën çështje që duhen përmirësuar, për të cilat Ministrja Kumbaro dhe Ekonomi u angazhuan t’i japin zgjidhje.

Shqipëria ka potencialet e duhura për të ecur përpara në zhvillimin e Turizimit dhe Kulturës, ndaj dhe Presidenti i Konsujve të Nderit, Ylli Ndroqi, i vlerësoi si katalizatorë të rëndësishëm në ekonominë e vendit.
Z. Ylli Ndroqi: Në rolin tonë si konsuj nderi ne përfaqësojmë vende nga të cilat vijnë eksperienca të jashtëzakonshme të investimit në kulturë e turizëm, në turizëm kulturor, në trashëgiminë kulturore. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për tu zhvilluar në mënyrën e duhur edhe në fushën e turizmit, kulturës dhe për të sjellë kombinimin e duhur mes tyre.

Kumbaro: Kultura, një pasaportë e mirë për Shqipërinë

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi vlerësuan përpjekjet e shoqatës së Konsujve të Nderit për të kontribuar në zhvillimin e turizmit dhe kulturës. Ministrja Kumbaro ftoi sipërmarrësit të investojnë në projekteve strategjike, duke pohuar se Konsujt e Nderit kanë lidhje diplomatike, por edhe shpirtërore me vendet që përfaqësojnë.

Kumbaro: E shoh si urë komunikimi për të shpërndarë në vendet që ju përfaqësoni një informacion që ndoshta nuk shkon gjithmonë lehtësisht në rrugë burokratike të diplomacisë funksionale. Na duhet një kordinim për të krijuar një rrijetëzim midis diplomacisë funksionale, mjeteve të informimit, diasporës që mund të jetë me shumicë ose me pakicë në vendet që ju përfaqësoni dhe njëkohësisht komunitetit të origjinës atje.

Ministrja Ekonomi iu referua statistikave të sezonit veror si tregues që turistët e huaj kanë zgjedhur Shqipërinë. Krahasuar me vitin 2015, Ministrja Ekonomi tha se në vitin 2016 numri i turistëve është rritur me 19.7%, ndërsa shpenzimet e turistëve për këtë vit kanë arritur në shifrën e 500 mln euro.

Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Johann Sattler, përmendi investimet e vendit të tij në promovimin dhe ndërtimin e një infrastrukture për turizëm në vendin tonë, por edhe shigjetoi ndërtimin e HEC-eve në Valbonë, duke sugjeruar një vizion të qartë se ku mund të ndërhyrhet dhe ku shpallen Parqe Kombëtare

Rreth tryezës ishin  mbledhur konsuj nderi, biznesmenë, ambasadorë por dhe personalitete të botës së artit.

Versioni i plotë: http://www.oranews.tv/vendi/tryeze-per-nxitjen-e-turizmit-dhe-kultures-konsujt-e-nderit-nxisin-investimet/