+355 67 67 677 pgj@plat.org

Sot, në Ditën Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Gruas, Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje fton të gjithë qytetarët të luftojnë kundër dhunës ndaj grave, të fuqizojnë gratë, të promovojnë dinjitetin dhe të drejtat e tyre. Dhuna ndaj grave është një dhunim i të drejtave të njeriut!

 

Diskriminimi dhe dhuna ndaj grave vazhdon ende sot në të gjithë botën, në të gjitha shoqëritë dhe rajonet. Gratë dhunohen fizikisht, seksualisht dhe psikologjikisht, në familjet e tyre, në vendin e punës, në shoqëri. Sot, në Europë, 1 në 3 gra kanë përjetuar dhunë fizike apo seksuale që në moshën 15 vjeçare. Statistikat e fundit kombëtare mbi dhunën në familje raportojnë një rritje në nivelin 59.4% të të gjitha formave të dhunës të përjetuar nga gratë në Shqipëri. Pasojat e dhunës me bazë gjinore për gratë dhe vajzat në Shqipëri, familjet dhe komunitetin e tyre kanë përmasa alarmante. Në Shqipëri 1 në 2 gra ka përjetuar të paktën një nga format e dhunës. Dhuna me baza gjinore nuk prek vetëm gratë dhe vajzat, por mbi të gjitha familjen, shoqerinë dhe ekonominë. Dhuna me bazë gjinore cënon cdo pjesë të shoqërisë duke penguar zhvillimin!

 

Përgëzojmë dialogun kombëtar në lidhje me dhunën me bazë gjinore dhe faktin që ky dialog dhe barazia gjinore janë përfshirë tashmë edhe në programet politike.
U kërkojmë sot të gjithë institucioneve kompetente:

1. Të vijojnë marrjen e masave të gjithanshme për parandalimin e dhunës me baza gjinore.

2. Të përmirësojnë bazën ligjore për mbrojtje të metëjshme dhe mbështetje të viktimave të dhunës.
3. Të përmirësojnë shërbimet ndaj viktimave të dhunës, të mundësojnë shërbimet e nevojshme dhe të mundësojnë integrimin e tyre në tregun e punës.
4. Të garantojnë për cdo viktimë te dhunës asistencë ligjore falas dhe mbështëtje të cdo lloj forme.
5. Të garantojnë trajtimin e dhunuesve.
6. Të fuqizojnë bashkëpunimin me organizatat e shoqerisë civile për ofrimin e shërbimeve cilësore, për parandalimin, për ndërgjegjësimin ku dër dhunës ndaj gruas.
7. Të vijojnë rritjen e kapaciteteve të të gjithë punonjësve në cdo hallkë të luftës kundër dhunës.

 

U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve të drejtësisë të gjykojnë më rreptësinë më të lartë rastet e dhunës me baza gjinore. Cdo rrethanë lehtësuese që i jepet nje krimi me baza gjinore krijon hapësirë për rritjen e kësaj dhune! Deri sot gjykimi i pakët i kriminelëve të dhunës ndaj gruas ka qënë një nga shkaqet kryesore te rritjes së dhunës!

U bëjmë thirrje mediave për përmirësime të mëtejshme të reagimeve mediatike ndaj dhunës dhe për një raportim të ndjeshëm gjinor!
U bëjmë thirrje qytetarëve, burra dhe gra, të mos heshtin në asnjë rast, por të bashkohen për t’i thënë jo dhunës ndaj gruas! Dhuna me baza gjinore është dhunë ndaj secilit prej nesh!
Ne kundërshtojmë fuqishëm çdo lloj forme të dhunës ndaj grave dhe vajzave! Ne duhet të advokojmë si komunitet, për të vepruar, sfiduar qëndrimet dhe institucionet dhe për t’iu bashkuar një qëllimi të përbashkët për të patur tolerancë zero ndaj dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.

 

SOT ËSHTË KOHA QË TË NGREMË ZËRIN  KUNDËR DHUNËS NDAJ GRAVE!!! 

* * *

Edhe gjatë këtij viti, Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje është angazhuar në ndërgjegjësimin për eleminimin e dhunës ndaj grave duke iu bashkuar nismës ndërkombëtare VIVA VITTORIA, me qëllim ndërgjegjësimin kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, duke kontribuar në krijimin e një mbulesë gjigande/ vepër arti me kontributin e njerëzve nga e gjithë bota për të mbuluar sheshin Vittoria në Brescia të Italisë, si një zë i fortë dhe deklaratë simbolike kundër dhunës me baza gjinore, në të cilën edhe Shqipëria ka zërin e saj!

www.youtube.com/watch?v=RXcDof-f5ww

 

Deklaratë: Dita Ndërkombëtare kundër dhunës me baza gjinore