+355 67 67 677 pgj@plat.org

Manuali i parë mbi raportimin e ndjeshëm gjinor në Shqipëri është përgatitur për të zgjeruar informacionin qw u jepet gazetarëve rreth rëndësisë të raportimit të drejtë dhe përgjegjësisë për të ruajtur balancën gjinore në media.  

Tiranë,Gusht 2015 – Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje” me mbështetjen e USAID nëpërmjet Assist Impact ka publikuar manualin e parë mbi raportimin e ndjeshëm gjinor për gazetarët në Shqipëri. Ky manual është pjesë e nismës “Zëri i Gruas në Media”, që ka për qëllim të rrisë vizibilitetin e grave në politikë dhe kontributin e tyre në diskursin publik nëpërmjet medias.

Media shqiptare karakterizohet nga keqprezantimi i grave në shoqëri. Pasojat e një raportimi të padrejtë janë serioze dhe gratë dhe pikëpamjet e tyre mbi çështje me interes të përbashkët janë më të pakta se sa të burrave. Burrat dhe gratë janë më të pranishëm në role tradicionale, me gra që përfaqësohen si objekte të kujdesit, si viktima ose të targetuara si konsumatore. Më tej studimi “Gratë në vendimmarrje: roli i medias së re për një rritje të pjesëmarrjes politike” nënvizon që gratë prezantohen ndryshe, (në kuptimin negativ) se sa burrat dhe janë më pak të dukshme (në krahasim me numrat e tyre aktual) se sa burrat. Më tej, studimi theksoi që media kur raporton për gratë dhe vajzat nuk përqëndrohet në çështje politike duke përforcuar stereotipete gjinore kulturore të rolit të grave dhe duke i penguar në angazhimin e tyre në politikë.

Bazuar në këto të dhëna, Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje” ka përgatitur një manual gjithëpërfshirës edukativ për raportimin e ndjeshëm gjinor në bashkëpunim me Valbona Sulçen dhe me mbështetjen e Edlira Çepanit, Raquel Hernandez Peña dhe Geldona Metaj. Manuali është i ndarë në dy seksione:

  1. Pjesa e parë synon të rrisë ndërgjegjësimin për rolin e mediave për barazinë gjinore. Në këtë pjesë përfshihet informacion se si keqprezantimi i grave në media përcakton portretizimin e grave në shoqëri dhe si pasojë, pjesëmarrjen e grave. Nëpërmjet një analize të plotë, autori u paraqet gazetarëve nevojën e integrimit gjinor në media.
  2. Pjesa e dytë përfshin informacion praktik mbi raportimin e ndjeshëm gjinor shoqëruar me shembuj dhe ushtrime. Autorët përdorin burime, imazhe, gjuhën në manual për t’u paraqitur gazetarëve se si media mund të ndërgjegjësohet për raportimin gjinor.

Në pjesën e fundit të manualit janë përfshirë tri anekse: (1) kuadri ligjor mbi median dhe çështjet gjinore, (2) check list për të identifikuar raportimin e ndjeshëm gjinor dhe (3) Treguesit e Ndjeshëm Gjinor për Median (TNGjM) nga UNESCO kategoria B: portretizimi gjinor në përmbajtjen mediatike.

Arritja e cilësisë bazohet në nocionin që të drejtat dhe mundësitë nuk mbështeten mbi gjininë, por në aftësitë e çdo individi. Qëllimi është që nëpërmjet zbatimit të këtij manuali do të zhvillohet më tej një kulturë gjinore e ndjeshme me mbështetjen e Medias.

Shkarkoni këtu manualin:

Manual Mbi Raportimin e Ndjeshem Gjinor