+355 67 67 677 pgj@plat.org

beqajMuaji i sensibilizimit kundër kancerit të gjirit ka nxitur edhe një sërë aktivitetesh.  Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është bërë pjesë e vrapimit në mbrojtje të shëndetit të gruas. Ai ritheksoi se duhet një vëmendje më e madhe ndaj shëndetit, duke shtuar se vetëm gjatë muajit tetor do të ofrohen mamografi falas në 11 qendra shëndetësore. Beqaj pohoi se sëmundjet tumorale janë edhe një ndër grupet e sëmundjeve me prevalencë të lartë në Shqipëri. “Është një betejë që besoj se edhe ne në Shqipëri mund dhe duhet ta fitojmë, për fat të keq e zbulojmë në një stad të avancuar, që është bërë vrasës për gratë në moshë aktive. Këtë muaj dua të ndaj një informacion të gjithë mamografitë janë falas në të 11 qendrat. Edhe një herë, çdo ditë deri në 31 tetor, bëhen ekzaminime pa pagesë deri në orën 20:00 të mbrëmjes.Përçoni këtë mesazh te nënat dhe motrat tuaja”, deklaroi ministri i Shëndetësisë.

141360

 

Pjesë e kësaj maratone ishte edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, si edhe nënkryetarja e bashkisë, Nevila Xhindi. Ministrja Nikolla u shpreh se në Shqipëri duhet një kulturë e re ndaj shëndetit, pasi shqiptarët drejtohen te mjeku vetëm kur janë sëmurë dhe jo për të bërë kontrolle të vazhdueshme. “Ajo që unë do të doja të ndaja me ju është që duhet të japim një kulturë të re për shëndetin, sepse ne kujdesemi vetëm kur sëmuremi. Një vëmendje të madhe duhet të ketë edhe sporti, si një element thelbësor për një jetë të shëndetshme”, tha Nikolla.

 

141364

Nga ana tjetër, ministri Veliaj tha se kanceri i gjirit, por edhe të gjitha sëmundjet tumorale mund të luftohen nëse kapen në kohë dhe kjo mund të arrihet nëpërmjet sensibilizimit. “Kjo sëmundje mund të luftohet përmes sensibilizimit. Ju e dini se prindërit tanë janë njerëz të sakrificës, por kjo është një sëmundje që nëse nuk neglizhohet ka një sukses të jashtëzakonshëm”, u shpreh Veliaj. E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe nënkryetarja e Bashkisë, Nevila Xhindi, e cila u kërkoi të gjitha grave e vajzave të bëjnë ekzaminimet. Sipas nënkryetares Xhindi, bashkia ka ofruar mamografi falas që nga fillimin i këtij muaji dhe kjo do të vazhdojë deri në ditën e fundit të muajit tetor. “Bashkia e Tiranës gjatë gjithë muajit ka qenë në krye të fushatës së ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, ka ofruar për gratë në pamundësi ekonomike dhe ka shumë të tilla në Tiranë e Shqipëri, në këto ditë krize ekonomike ekzaminime falas, në bashkëpunim me organizata e spitale private. Ne e dimë që kjo sëmundje kërkon ekzaminime të kujdesshme dhe të shtrenjta, ndaj u gjendemi pranë  qytetarëve të Tiranës, pasi çdo vit shumë gra dhe vajza përballen me këtë sëmundje të rëndë”, pohoi Xhindi. Çdo vit në vendin tonë identifikohen rreth 400 femra të prekura nga kanceri i gjirit, ndaj është theksuar edhe kryeja e ekzaminimeve.