+355 67 67 677 pgj@plat.org

Mirela SulaJeni një grua e cilësuar shpesh nga media, ‘e hekurt’. Jeta ju ka përballur duket e ju ka vënë në sfidë jo pak herë, por ju ja keni dalë. Si mundeni të dilni gjithnjë ‘fituese’ mbi vështirësitë?
Dikur edhe unë e bëja shpesh këtë pyetje, kur intervistoja gra të cilat më intrigonin me forcën dhe personalitetin e tyre. Tani që më drejtohet mua kjo pyetje nuk di të them me siguri nëse jam një grua e fortë apo “e hekurt” siç thoni ju. Është e vërtetë se jeta më ka përballur me shumë vështirësi dhe sfida, por këtë gjë besoj e ndesh pjesa më e madhe e grave shqiptare. Jeta nuk është një punë e lehtë, ama për mua është një punë e bukur dhe e shijoj çdo ditë në mëngjes kur zgjohem dhe nuk e di se çfarë më pret. Dhe mendoj se ia kam dalë, jo për arsyen se kam fituar gjithnjë para vështirësive që jam përballur, por për faktin se ndihem e fituar edhe kur gjërat nuk shkojnë ekzakt siç dua unë. Jeta nuk na jep gjithmonë atë që duam por atë që na duhet për t’u rritur e për t’u bërë më të fortë. Në këtë mënyrë mendoj se gjithmonë fati është në anën time dhe çfarëdo që më ndodh në jetë ndodh sepse ashtu është më mirë për mua. Një çast kur ti mendon se je në një moment të vështirë të jetës të duket se aty mbaroi çdo gjë, por në fakt ky është gjithë sekreti, unë pikërisht këtë çast e shijoj shumë, sepse e di se pas kësaj, diçka e magjishme është duke ndodhur. Thjesht e ndiej dhe e pres të vijë në çfarëdo gjendjeje që të jem, nuk e bllokoj dëshirën për ta pritur të nesërmen që padyshim do jetë e ndryshme nga e djeshmja. Në këtë mënyrë i luftoj “armiqtë” brenda vetes dhe shpërblimi vjen pa e kuptuar pastaj, një paqe që të krijon idenë e të qenit “fituese”.

 

 

Mos është përgjigja e duhur për pyetjen time, titulli i librit tuaj “Mos e lër mendjen të ikë”? Dhe si arrin Mirela të mos e lërë mendjen të ikë?
Kur humba vajzën, fëmijën tim të parë, i jam trembur shumë mendjes, një aset që unë e quaja të shenjtë dhe për një çast u tremba se do më ikë. Isha mësuar me ikjet që kur isha e vogël – një ditë të bukur mamaja më tha “do ikim prej këtu” dhe unë u ndava nga vendi i lindjes, nga shokët e klasës, nga kujtimet e fëmijërisë. Menjëherë u mësova edhe me ndjesinë e ikjes së babait. Nuk e mora vesh se si por iku, dhe në skenë hyrë një burrë tjetër i cili i zuri vendin. Më vonë më iku dhe krijesa ime, dhe një çast mendova “në këtë botë të gjithë ikin dhe ti nuk ke kontroll mbi asgjë…” – as mbi shtëpinë, as mbi paratë, as mbi njerëzit; kur e kuptova këtë gjë e mblodha veten dhe thashë, ka një gjë të cilën kurrë nuk duhet ta lë të ikë “mendja”. Dhe që prej ditës që unë e kuptova rëndësinë e saj vendosa ta trajtoj atë me shumë kujdes: ta ushqej mirë, ta pastroj, ta mirëmbaj dhe ta përdor për mendime të bukura. Dhe unë kam një zakon të cilin e kam zhvilluar rregullisht: kur zbuloj një “tokë të re” bëhem gati dhe menjëherë nisem që ta prek e ta shoh me sytë e mi. Kështu jo vetëm e ruaj mendjen por edhe e sfidoj çdo ditë me ekspedita të reja përmes meditimit, proces i cili ndihmon në ushqimin, pastrimin dhe mirëmbajtjen e mendjes.

 

 

Ju keni një karrierë të gjatë në media, keni punuar fillimisht si gazetare, e më pas keni drejtuar revista prestigjoze në Shqipëri, në portin e kryeredaktores. Pas kaq vitesh si do ta përkufizonit ju karrierën tuaj?
Kur vendosa të vij në Tiranë nuk e kisha idenë se nga do t’ia filloja, nuk kisha asnjë plan në mendje. Thjesht e dija se do të ishte një përvojë e shkëlqyer të filloja një jetë të re pas gjithë atyre viteve të kaluara në një vend të izoluar në një fshat në veri. E doja këtë sfidë, ta provoja veten në një botë që në atë kohë më dukej e madhe por që shumë shpejt u bë më e vogël se imagjinata ime. Sapo kisha mbaruar studimet e larta për gjuhë letërsi në Shkodër, aty ku profesorët nuk ofronin asgjë përveçse të zhvillonin instinktin e mbijetesës. Nga një ëndërrimtare që shkruante poezi e lexonte çdo lloj libri që i dilte përpara, pas pak vitesh përfundova në një qenie mjerane nëpër korridoret e universitetit teksa grindesha me profesorët për notën e pamerituar. Më vonë kur vetë fillova të punoj në atë universitet kuptova se në fakt askush nuk i kishte lexuar kurrë provimet apo detyrat e mia (përveç prof. Hasan Lekës i cili bënte përjashtim në atë vend). Pra, karriera ime nuk ishte diçka e menduar sepse diplomë gjuhë letërsie kishin me mijëra studentë që kishin mbaruar shumë më mirë se unë. Në atë kohë nuk kishte shumë mundësi zgjedhjesh ndaj thjesht identifikova pikat e mia të forta dhe vendosa të punoj me veten duke fituar më shumë kofidencë. Duke qenë e vetme në një vend pa njohje dhe pa mbështetje gjëja e parë që duhej të bëja ishte të punoja me veten dhe të rindërtoja vetëvlerësimin që më ishte shkatërruar ndër vite. Dhe me sa duket funksionoi, kjo energji që fillova të forcoj në vete më ndihmoi që të mos ligështohesha sa herë merrja refuzime pune, apo sa herë ndihesha e përjashtuar nga “klanet”. E keni dëgjuar atë shprehjen “mjaft dikush të të japë dorën dhe pastaj ngrihesh vetë”. E prita aq gjatë atë dorë, por kur e pashë që koha po kalonte dhe mund të mos ndodhte asnjëherë lëviza këmbë e duar dhe fillova të besoj fuqishëm se “nëse nuk ke një derë ku të trokasësh, ndërtoje vetë atë”. Kështu më duhej vetëm një nisje diku, e më pas e dija se kurrë më nuk do të ndalesha. Dhe ashtu ndodhi në fakt. Tani, në këtë stad nuk mendoj se mund ta përkufizoj si karrierë, pasi më duket fjalë shumë e madhe. Thjesht rrugëtim që më ka ndihmuar të mos bllokohem në një stacion por të lëviz duke i dhënë vetes mundësinë e ndryshimit.

 

 

Sot ju jetoni në Britani, një jetë e re, me angazhime të reja që nuk janë të pakta; doktoratura në Psikologji, Gazeta Albanian Woman që keni hapur, përfshirja në projektet e dhunës kundër grave. Si është tani jeta juaj atje?

 

 

Është ende shpejt të flas për jetën në Londër kur akoma nuk ka kaluar as një vit. Në fakt, duhet ta pranoj se ndihem si në shtëpi. Ka një histori shumë të bukur lidhja ime me Londrën. Për vite të tëra kam pasur fatin të udhëtoj në shumë vende të botës por nuk kisha qenë asnjëherë në Britani. Para dy vitesh, ekzakt në Korrik, isha ftuar për të mbajtur një ligjëratë në Stirling University në Skoci. Meqë mora vizën britanike vendosa të vizitoj edhe Londrën me këtë rast. Mbarova udhëtimin tim nëpër Skoci dhe ditën e fundit vendosa ta kaloj në Londër. Nuk mund ta imagjinoni çfarë ndjesie të rrallë përjetova kur e shkela këtë vend, m’u duk sikur kisha jetuar më përpara aty, sikur i kisha shkelur edhe herë të tjera ato rrugë. Pata një lidhje të pashpjegueshme me këtë vend dhe mbaj mend që pyeta mikeshën time e cila po më shoqëronte “Si ka mundësi që asnjëherë nuk më ke thënë sa e bukur është Londra. Askush nuk më kishte thënë sa i bukur është ky qytet. Po ta kisha ditur do të kisha ardhur me kohë”. Mund të jetë dukur e çuditshme deklarata ime e dashurisë për Londrën sepse ajo nuk mendonte ashtu, e shihte atë të ftohtë dhe si një vend që e kishte ndarë me familjen. Ndërsa unë e shihja ndryshe, si një vend që më lidhte me veten. Vetja ime gjente prehje aty ndaj që nga ajo ditë vendosa që gjithë energjitë e mia t’i ktheja për të përmbushur këtë qëllim – të vija në Londër. Pas një viti thjesht ndodhi dhe u binda përfundimisht në një të vërtetë të madhe “Bëj kujdes çfarë dëshiron sepse papritur mund ta shohësh të realizuar”. Tani ndjek studimet e doktoraturës në Shkollën e Psikoterapisë dhe kam nisur një jetë të re bashkë me tim bir 15 vjeçar. Ndihem ekzakt si para 13 vitesh kur nisa jetë të re në Tiranë, pa asnjë plan dhe pa ditur se çfarë do të më sjellë e nesërmja. Por me një ndryshim të madh – ndihem plot energji dhe besim në vete, në një vend më bën të ndihem si në shtëpi.

 

 

Ndërkohë jeni edhe autore e disa librave të botuar tashmë, ku tek i fundit dominon psikologjia. Çfarë janë për ju këto libra?
Sa herë ndalem të reflektoj mbi jetën time, librat janë përgjigja e gjithçkaje. Librat janë ata që më kanë shpëtuar jetën. E keni parasysh se si mund të ndihet dikush që shkon në shkollë dhe nuk ka mësues, çfarë mund të bëjë që të kalojë provimet? – Duhet të lexojë shumë. Kështu mund ta paralelizoj realitetin tim, atë që unë përjetoja! Në shkollë, në familje, në shoqëri e kudo më mësuan çdo gjë, përveçse nuk më mësuan se si të jetoj, dhe si t’i bëj ballë jetës në situata të vështira. Askush nuk ma mësoi këtë gjë, dhe në fakt nuk po qahem sepse nuk isha e vetmja. Ama m’u desh të kaloja shumë “provime” në të shkuarën time, sepse kisha etje për t’u rritur, ndaj e them me plot gojën se librat më kanë shpëtuar jetën. Duke lexuar fillova të kuptoj botën në të cilën jetoja, t’i jap kuptim asaj dhe të gjej vendin tim në të. Në këtë mënyrë fillova të eksploroj edhe veten në marrëdhënie me të tjerët, dhe të gjitha dilemat që kisha i gjeja në libra. Por lidhja ime me librat ishte e dyfishtë sepse kam filluar të shkruaj që kur kam qenë në gjimnaz. Në këtë moshë ndodh që ky pasion të jetë i pranishëm tek të gjithë por tek unë nuk u fik asnjëherë, përkundrazi u zhvillua dhe mori forma të tjera rritjeje. Dhe ndihem e shpërblyer. Në librin e fundit “Mos e lër mendjen të ikë” kam hedhur përvojën time shumëvjeçare si poete, gazetare, psikologe por edhe vetë jetën personale. Ky libër dhe dhjetëra e qindra letra që kam marrë nga lexuesit më ka ndihmuar të zbuloj dhuratën që kam brenda vetes, atë që të gjithë e kanë. Dhe kur e zbulojmë këtë dhuratë dëshirojmë që ta zhvillojmë e më pas ta ndajmë me të tjerët. Kështu ndodhi edhe me mua. Tani kam në dorë një tjetër libër të së njëjtës kolanë “Mos e lër dashurinë të ikë” të cilin do ta dorëzoj për shtyp këtë shtator dhe në Panairin e librit do të jetë në treg.

 

 

A keni dhe ju një moment ku mendoni se njerëzit, janë thjesht kalimtarë në këtë jetë. Cila është filozofia juaj për jetën?
Kam shumë momente ku mendoj se njerëzit janë thjeshtë kalimtarë në këtë jetë. Librin tim të fundit me poezi të botuar nga Toena e kam mbyllur me këto dy vargje “Udhëtar, nëse të bie rruga edhe një herë nga unë mos ma trazo ulërimën e pritjes…”. Është thjesht një poezi por ka brenda një filozofi të madhe. Njerëzit nuk janë kalimtarë të rastësishëm në jetën tonë, ata janë aty për një arsye, nuk ka rëndësi se sa gjatë rrinë, rëndësi ka që ata vijnë për të përmbushur një detyrë. Dikush vjen për të na asistuar në një moment të vështirë, për të na dhënë një leksion jete me praninë e tij, apo thjesht sepse ne e kemi thirrur me një dëshirë të brendshme për të qenë aty në një çast vendimtar – dhe kur ky moment ka kaluar vjen koha për të ikur – dhe ne duhet ta lëmë të shkojë. Për mua nuk ka qenë e lehtë ta kuptoj këtë filozofi dhe gjithnjë i kam vuajtur ndarjet nga njerëzit, sado të shkurtra apo të gjata të kenë qenë. Nuk kam mundur ta përballoj një ndarje derisa fillova të eksploroj arsyet përse unë ndihem kaq keq kur ndahem me të tjerët, a është kjo diçka që e përjetojnë të gjithë apo vetëm unë. E kam gjetur këtë përgjigje pas shumë kohësh vetëm kur fillova të studioj Frojdin, aty e kuptova se ky është një proces i natyrshëm njerëzor, dhe se ne qeniet humane dhimbjet më të mëdha i përjetojmë nga ndarjet. Kur arrita të zbërthej këtë koncept dhe të kuptoj burimin e dhimbjes time mësova se si t’i shoh natyrshëm njerëzit si kalimtarë në jetën time. Dhe tani, në këtë stad e them me bindje se di t’i njoh njerëzit që vijnë për një arsye në jetën time, dhe kam filluar të besoj se Universi gjithmonë më takon me njerëzit për të cilët kam nevojë. Ata vijnë, rrinë aq sa u duhet për të kryer misionin e tyre dhe ikin. Mund të ketë edhe nga ata njerëz që kanë ardhur për t’ma turbulluar jetën, shpesh edhe më kanë lënduar, e megjithatë më ka shërbyer prania e të gjithëve sepse më kanë bërë të jem kjo që jam sot.

 

 

Cili është vendi që zë yt bir në jetën tënde. Cila është marrëzia më e madhe që do të bëjë ndonjëherë për të?
Im bir ka ardhur në këtë jetë me një mision shumë të madh, vetë emri që mban Natanael do të thotë dhuratë nga Zoti. Dhe unë e kam pritur lindjen e tij si një dhuratë e cila që nga dita që ka ardhur në jetën time ka sjellë veç të mira. Tani, në një vend të huaj ndihem akoma edhe më e lidhur me të. Është mrekulli teksa e shoh të bëhet modeli i fëmijës që unë kam dashur gjithnjë të kem. Është gjëja më e shtrenjtë që kam në këtë botë, e megjithatë e di që edhe ndarja me të do të vijë shumë shpejt. Tani që kam mësuar se si të negocioj me ndarjet kam filluar ta përgatis veten se dita që ai do të dojë të fluturojë për të ndërtuar jetën e tij do të jetë shumë e afërt. Por nuk më shqetëson aspak kjo gjë, sepse dashuria që unë kam për të më ndihmon që të kem kurajën për ta përballuar këtë ndarje. Nuk do ta superoja dot idenë e nënës që ka një fëmijë të vetëm dhe të insistojë ta mbajë të varur nën kontrollin e saj. Për mua rëndësi ka lumturia e tij, në çdo kohë ta dijë që ka një derë të hapur, ka dy prindër që e duan shumë dhe që do të jenë aty për të gjithmonë. Marrëzia që do të bëja për të? Është kjo që kam bërë: të bëj gati valixhet dhe t’i mësoj atij dimensionet e një bote të madhe pa kufij…

 

 

Mendoni se njerëzit lindin me fat dhe kundër fatit nuk mund dalësh, sepse ai fiton gjithnjë?
Mendoj se njerëzit nuk lindin me fat por e krijojnë atë. Dhe unë jam një nga ata që beson tek fati i mirë sepse të tillë e kam dashur dhe e kam ndjekur. Kjo është një aftësi që e kam zhvilluar me kalimin e kohës, nuk është se kam lindur me idenë se duhet të besoj tek fati. E bukura është se dikur, kur isha në padije dhe errësirë mendoja se “isha e pafat” dhe pa dashur duke menduar në këtë mënyrë nuk arrija të përfitoja nga era e fatit të mirë. Kur fillova të mësoj më shumë për këtë koncept dhe të ndriçoj veten duke qenë mendje hapur ndryshova komplet kursin e drejtimit dhe vendosa që të lundroj në ujërat që më çonin të besoja se “unë isha me fat”. Pasi u zhyta në filozofinë budiste dhe konceptet e saj për karmën u mobilizova me gjithë forcat e mia që të hapja një shteg të ri për fatin tim dhe ta ndryshoja karmën duke i dhënë asaj prova se unë po punoja për t’u bërë një njeri i mirë dhe të kisha fatin që meritoja në jetë. Në këtë mënyrë pres të shpërblehem nga fati duke marrë prej tij jetën që meritoj.

 

 

Cili është pengu më i madh i jetës tënde?
E them sa herë me vete sikur të kisha pasur mundësi të zhvilloja të gjitha potencialet e mia që në moshë të re. E kam peng që nuk munda të marr jetën time në dorë më herët. Në fillim ajo ishte në duart e prindërve të mi, më pas në kontratën e një martese që duhej respektuar. Imagjinoj sa herë si do të ishte jeta ime nëse të tjerët nuk do ta hidhnin atë në malet e Pukës. E megjithatë siç e kam thënë edhe në librin “Mos e lër mendjen të ikë” nuk ia vlen të qajmë për të shkuarën – “Ne vërtetë nuk mund ta ndryshojmë fillimin por ama kemi në dorë të ndryshojmë fundin”.

 

 

Nëse do të jepej mundësia të rijetoje dhe njëherë jetën tënde, çfarë do të kishe rregulluar apo do t’ia kishe nisur nga e para?
Kjo është një pyetje përgjigjen e të cilës jam duke e kthyer të plotë në librin tim të ri “Mos e lër dashurinë të ikë”.