+355 67 67 677 pgj@plat.org

Në Muzeun Historik Kombëtar u hap ekspozita “100 vjet nga jeta dhe kontributi i grave në Shqipëri”. Kuratorja Suzana Varvarica flet për një kombinim harmonik të imazhit historik me atë artistik: dokumente dhe fakte historike që prezantojnë në mënyrë kronologjike veprimtarinë e gjithanshme të grave dhe vajzave, foto bardhë e zi ku shfaqen portretet e tyre dhe atmosfera e kohës që harmonizohen me imazhin që krijojnë vepra të arteve pamore. “Shoqëria shqiptare është rritur në këta 100 vjet përmes reflektimit hap pas hapi të ndryshimeve, me të cilat është përballur. Në këtë rritje dhe ndryshim, një rol të madh dhe pa ekuivok ka gruaja, dora, mendja dhe shpirti i saj”, thotë Varvarica. “Ky rol është i ndjeshëm dhe me plot rezultate edhe në fushën e arteve, ku gruaja vepron si artiste dhe imazhi i saj frymëzon dhe nxit krijuesit.”

 

Kuratorja ka zgjedhur vepra në pikturë, instalacion, skulpturë, fotografi, kostumografi dhe poster. “Ekspozita tregon edhe që artet pamore në Shqipërinë e shekullit XXI nuk e përmbajnë në trupin e tyre elementin e diferencimit cilësor dhe zhvillimor me artet pamore të vendeve të tjera evropiane apo dhe botërore.”

 

Liljana Çefa, Lubjana Dashi, Lumturi Blloshmi, Marta Zadrima dhe Zheni Vogli, Merita Selimi Spahija, Pashk Përvathi, Qazim Kertusha, janë disa nga artistët pjesëmarrës.

 

Si nismë e shoqatave “Në dobi të gruas shqiptare”, “Refleksione” dhe Qendrës “Aleanca Gjinore për Zhvillim”, ekspozita është vazhdim në një formë tjetër i një diskutimi më të gjerë që u mbajt dje në Tiranë, në konferencën “90+20 – Lëvizja e gruas”.

 

Shkrimtarja dhe publicistja Elvira Dones, e ftuar nderi e konferencës tha se “feminizmi në Shqipëri ka ende një udhë të gjatë përpara, përmirësimi e përsosmëria e të cilit nuk është vetëm një çështje ‘grarishte’ apo ‘grarore’, por i përket gjithë shoqërisë, çdo shoqërie të zhvilluar”. Të ftuar të tjerë si ambasadori i delegacionit t? BE-së Shqipëri, Ettore Sequi, me bujarinë e gjykimit dhe vlerësimit të fenomenit për të tilla raste kujtoi që gruaja shqiptare, në një rrjedhë më të gjerë të historisë evropiane, “e ka pasur t? drejtën e vot?s q? n? vitin 1920, 24 vjet m? par? se Franca, 25 vjet m? par? se Italia dhe 26 vjet m? par? se vendet e Ballkanit Perëndimor”.

 

Mirela Arqimandritit, drejtoreshë e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim, problemin me “fenomenin grua” nuk e shikon thjesht te fuqizimi i saj ekonomik, për sa kohë ekziston diskriminimi që mbizotëron në çdo cep nga familja në institucione shtetërore e private. “Është ironike të shohësh gruan në pozicionet më të pafavorshme për sa i përket të drejtave bazë siç është e drejta e arsimimit dhe shëndetit. Apo të mos ketë akses në kapital në mënyrë që të bëjë zgjedhjet e saj”, thotë Arqimandriti. Urimi i saj është që ato ligjet e bukura në letër të zbatohen, ndërsa shoqëria ku jetojmë t’ia mbërrijë dikur ditës që t’i jetë mirënjohëse gruas shqiptare.

 

Sa merret ky prezantim me gjendjes e gruas, me shtypjen po edhe me zgjimin e saj në një shekull?

 

Së pari me lejoni të them se nuk bëhet fjalë thjesht për një ekspozitë. Është një veprimtari më e gjerë dhe qysh në fillim qëllimi i saj ishte që ingranonte disa ide të realizueshme. Këto ide morën emrin “100 vjet nga jeta dhe kontributi i grave në Shqipëri”.

 

Kemi dy ekspozita që janë në funksion të njëra-tjetrës. Ekspozita historike dhe ekspozita e arteve pamore të cilat i lidh një koncept modest dhe qëllimi për të evidentuar kontributin dhe imazhin e gruas shqiptare në 100 vjet histori. Udhërrëfyes janë imazhi historik dhe artistik. I pari sjell fakte për historike për zhvillimin e personalitetit të gruas. I dyti, imazhin figurativ të gruas përmes krijimit artistik. Natyrisht, e thënë thjesht, qëllimi është që të konkretizojë në mënyrë kronologjike ngjarje të historisë së Shqipërisë nga 1912-2012, ku gruaja shqiptare ka qenë faktor dhe ka luajtur rol të qenësishëm. Në ekspozitën historike janë evidentuar ngjarje kolektive dhe janë veçuar individualitete të gruas në fusha të ndryshme të zhvillimit të jetës. Gjithashtu janë paraqitur dhe përmendur emra të grave intelektuale të persekutuara gjatë periudhës komuniste. Pozitiviteti është cilësia që mbart kjo ekspozitë. Ai vë në dukje përmirësimin e imazhit të personalitetit të gruas dhe rritjen e formimin intelektual e kulturor në gjininë e vet.

 

Historia dhe arti, çfarë të dhënash na japin?

 

Ekspozita historike është koncize dhe e ndërtuar në 30 stenda të kompozuara bukur e me shije. Secila përmban pasionin dhe respektin e organizatoreve për evidentimin e emrave dhe imazheve fotografikë të grave më të shquara intelektuale, artiste, shkencëtare, ligjvënëse dhe politikane nga 1912 deri në 2012.

 

Ndërsa ekspozita e arteve pamore evidenton 40 punë të 33 artistëve, të cilët me dashuri dhe emocion kanë sjellë perceptimet e tyre ndaj figurës së gruas jo vetëm në imazhin femëror, por edhe të gjendjeve të saj në grumbullin e fenomeneve që e rrethojnë. Pra kemi kontributin e gruas në të kaluarën, por edhe këndvështrime të gjendjes së saj aktuale, pa marrë përsipër të shpërfaqë gjithçka në lidhje me gruan.

 

Nuk është pak të flitet një herë në vit për këto tema?

 

Nuk ndodh gjithmonë, por natyrisht jemi përpara një ngjarje të shënuar kombëtare, formimi i shtetit shqiptar, dhe kjo veprimtari është një komunikim i gruas së vitit 2012 me historinë e saj, në oazin e madh të historisë së Shqipërisë. Unë vet nuk aderoj në asnjë shoqatë dhe organizatë të gruas shqiptare, por e di fort mirë se sot zëri intelektual i saj është më i mprehtë në mesin e një shoqërie ende primitive, ku maskiliteti maçovian është i egër dhe vrastar. Dhe ky vit ka pasur shumë ngjarje të rënda.

 

Mendoj se vetëm në shoqëritë e larta demokratike gruaja mund të ndërgjegjësohet, sepse vetëm në këto shoqëri gruaja hap pas hapi mund të fitojë pavarësinë e saj femërore, pasi në këto shoqëri ligjet e shkruara kanë shansin të zbatohen.

 

Pra gruaja është shoqëria vetë dhe kjo është një shoqëri që e mbyt zërin e saj?

 

Nëse zërat femërorë bashkohen atëherë zëri i saj do të dëgjohet brenda llojit, por edhe jashtë tij. Por nëse gruaja pret që sistemi i përgjithshëm shoqëror t’i japë të drejtat asaj, kjo nuk do të ndodhë askurrë. Nuk është gruaja një forcë e ndryshme shoqërore nga forcat e tjera. Nëse kërkon mund të marrësh, nëse hesht do të thotë se duhet të humbësh, të nënshtrohesh, të tretesh, të vdesësh.

 

Sa është emancipuar vetë dhe sa ka ndikuar në emancipimin e të tjerëve?

 

Në një shtet dhe komb si yni, gruaja e dëshiron emancipimin, por ky emancipim po kërkon sakrifica dhe shpagime deri me vdekje makabre. Mos harrojmë se edukimi dhe arsimimi i cunguar, shpesh herë i gënjeshtërt dhe abuziv në komunizëm trashëgoi një shoqëri të paditur, kolektive injorante. Mos harrojmë se transformimet e mëdha ekonomike dhe emigruese kanë lindur probleme të tjera. Mos harrojmë se një grua e papunë, një grua shtëpiake, një grua në qerthullin e ngushtë të vetes pjell vetëm mentalitete monstruoze dhe paragjykuese. E si mundet kjo grua të emancipohet e më pas të ndikojë në emancipimin e të tjerëve, që do të thotë të fëmijëve të saj? Kam idenë se vetëm një grua në punë dhe e arsimuar mund të ndihmojë në emancipimin e shoqërisë.

 

Dhe së fundmi një opinion juaj si femër dhe si artiste, për femrën.

 

Fjala utopi më vjen ndër mend, s’kam ide tjetër. Një grua duhet të edukohet drejt që kur ajo mbartet në barkun e një gruaje tjetër. Dhe kjo vlen si për një grua në zonën më malore të atdheut tim e deri tek zonjat që jetojnë në vilat apo pallatet luksoze të periferisë së qyteteve shqiptare. Ndryshe funksioni i gruas do të jetë anësor dhe i papërfillshëm. Mendojeni ju, a mund të ndodhë kjo?

 

Valeria Dedaj