+355 67 67 677 pgj@plat.org

TIRANE – Konferenca e organizuar nga OSBE-ja ‘Për rritjen e rolit të gruas në qeverisje’ uli këtë të mërkurë në një tryezë, kryetarin e PS-së Edi Rama, kryeparlamentaren Jozefina Topalli dhe liderin e LSI-së Ilir Meta. Të pranishem dhe disa deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

 

Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth deklaroi se gratë në Shqipëri vazhdojnë të jenë të papërfaqësuara në politikë.
Në konferencën për rritjen e rolit të gruas, në Tiranë, ambasadori Wollfarth e cilësoi të papranueshme dhe të pandershme përjashtimin e grave nga jeta publike.

 

“Mundësitë për gratë, që të jenë pjesëmarrëse aktive është një parametër thelbësor i demokracisë funksionale. Nuk është e mjaftueshme që të ketë një pjesëmarrje të vogël të grave në jetën publike” theksoi ambasadori i OSBE-së.

 

TOPALLI: GRUAJA KRIJUESE, BURRI SHKATERRUES


Kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi se çështja e fuqizimit të gruas është globale dhe trajtohet në të gjitha shoqëritë e botës. Sipas Topallit, gruaja është më krijuese, në krahasim me burrat dhe ndikon pozitivisht në procesin e vendimmarrjes, ndërsa burrat kanë natyrë shkatërruese. Kryeparlamentarja theksoi se ka një kontradiksion të madh mes asaj që themi e asaj që shohim, në lidhje me pjesëmarrjen e gruas në jetën publike.

 

“Është një rast për të ngritur pyetjen se sa është realizuar premtimi për pjesëmarrjen e gruas në politikë? Në nivel global, gratë përfaqësohen vetëm 20%. Janë bërë përpjekje dhe ka arritje të ndjeshme për rritjen e rolit të gruas në Shqipëri.” -theksoi Topalli.

 

Kryetarja e kuvendit nënvizoi se çështja e barazisë është çështje e së drejtës, e cila nuk duhet të deformohet.

 

RAMA: BASHKARISHT TË SHTOJMË NUMRIN E GRAVE NË VENDIMMARRJET POLITIKE


Kryetari i Partise Socialiste Edi Rama në fjalën e tij sot në konferencën ‘Për rritjen e rolit të gruas në qeverisje” u shpreh se është koha që të punohet bashkarisht që të rritet roli i gruas në vendimarrje politike. Me nota humori Rama iu përgjigj deklaratës së Topallit për burrat shkatërrues.

 

Kreu i PS tha se nëse parlamenti do të kishte më shumë gra në përbërje, korrupsioni në vend do të ishte më u ulët falë vendimarrjeve jo të korruptuara.
“Jam i bindur sikur parlamenti të kishte këtë përbërje, pa dyshim do ishte më i efektshëm, këtë e them jo për fjalën e rastit, por jam i bindur sesa më shumë gra të përfshihen në vendimmarrjen e këtij vendi, aq më e pakorruptuar do ishte vendimmarrja. Por, sa më shumë gra të ishin në parlament, spikeren do të ishte mirë ta kishim burrë, më fal znj,Topalli”.

 

Rama falenderoi më pas misionin e OSBE për këtë nisme që ka ndërmarrë në Shqipëri mbi rolin e gruas, ndërsa sugjeroi që të futen sa më shumë gra në listat e zgjedhjeve politike.
“Në rast se një parti politike merr përsipër për një pjesmarrje mbi 30% të grave dhe kjo do ishte në linjë horizontale jo vertikale, si në rrethe, si në komuna si në qarqe, do ishim në rrugë të drejtë. Ky është një propozim i bërë dhe në periudhën kur diskutonim për periudhën zgjedhore. Unë mbeta në minorancë jo vetëm me PD, por dhe me burrat e partisë sime. Është koha ta realizojmë”.

 

Ai solli më pas si shembull Kongresin e PS ku theksoi se luftoi për të rritur numrin e grave në anëtarësinë e PS, porse kjo përgjigje nuk erdhi pozitive nga kryetarët e PS-ve në zonat rurale.

 

Sa i përket zonave rurale, Rama tha se po shtohet alarmi rreth rolit të gruas në këto pjesë të Shqipërisë.
“Ajo që po ndodh në Shqipërinë rurale me gruan ndrydhjen dhe mbylljen e saj në shtëpi duhet të jetë alarm për të gjithë ne”, tha Rama ndërsa theksoi se shumica e grave në Shqipëri janë të papuna dhe shume dhunohen ndersa autoret nuk ndëshkohen.

 

“Këto barriera duhen shembur përfundimisht”, tha kreu i PS.

 

Rama për burrat shkatërrues


Deklaratës së kryetares së parlamentit Topalli, se gratë janë krijuese krahasuar me burrat që janë shkatërrues, Rama e komentoi “Më lejoni ti vë pikën fjalimit, se jam dakort me atë që tha Topalli, që gruaja është krijuese, por burrat mos t’i quajmë shkatërrues, por bashkëautorë”.

 

“Me ndihmën e grave të forta në PD jemi gati të bëjmë gjithcka për të influencuar mbizotëruar burrat shkatërrues”.

LSI, META: MBËSHTETJA NDAJ GRAVE TË JETË PRIORITET


Kryetari i LSI-së, Ilir Meta theksoi se forca politike që ai përfaqëson ka garantuar pjesëmarrjen e grave prej 30% në forumet drejtuese.
Lideri i LSI-së nënvizoi se mbështetja e grave duhet të jetë prioritet i çdo qeverie, i çdo force politike dhe shoqatave të grave.

 

Burimi:  http://www.balkanweb.com/analiza/2689/roli-i-gruas-ne-qeverisje-wollfarth-rama-e-topalli-30-ne-vendimmarrje-73739.html